E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasjet në prag të fushatës, jo politike

Raporti i OSBE-së, publikuar dje, thotë se fushata zgjedhore u zhvillua në një atmosferë të qetë, por prapëseprapë të polarizuar. "Megjithëse gjatë kësaj periudhe u vranë tre aktorë politikë vendorë, nuk ka prova se këto vrasje u kryen për motive politike", thotë OSBE. Raporti konstaton se tonet e ndezura mbizotëruan gjatë fushatës, ku u ngritën edhe akuza, shpesh të bazuara, nga PS-ja se PD-ja shfrytëzonte veprimtaritë shtetërore për qëllime të fushatës zgjedhore, duke ushtruar edhe presion mbi punonjësit e administratës publike që të merrnin pjesë në tubimet zgjedhore partiake. "Prezenca u vu në dijeni të disa dëshmive, sipas të cilave shumë simpatizantë të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ishin pushuar nga puna pas vendimit të kësaj partie për të kaluar në koalicionin e udhëhequr nga PS-ja", vijon raporti. Sa i përket shtetit të së drejtës, OSBE thotë se me gjithë përparimet e bëra gjatë vitit të kaluar, ku mund të përmendim përpjekjet e vazhdueshme për krijimin e gjykatave administrative, si dhe hapat e para në drejtim të zyrtarizimit të ofrimit të ndihmës ligjore, procesi i reformës gjyqësore nuk ka përfunduar ende. "Procedurat gjyqësore mbeten të ngadalta, transparenca e plotë shpeshherë mungon dhe shumë çështje të rëndësishme mbeten ende për t‘u trajtuar më fuqishëm, si për shembull korrupsioni në sistemin gjyqësor. Reformat nuk mund të bëhen thjesht duke rishkruar të ashtuquajturat ligje organike", nënvizon raporti. OSBE mendon se ka më shumë rëndësi që të rishikohet se si funksionojnë në të vërtetë këto institucione. "Nëse rezulton se procedurat civile apo penale nuk zbatohen në praktikë, atëherë ose duhet të ndryshohen procedurat, ose duhet që ato të zbatohen me më shumë rreptësi. Veç kësaj, duhet që përpara miratimit të një ligji të rëndësishëm, qeveria të nxitet që të bëjë konsultime më të gjera me palët më të prekura nga ligji në fjalë", thotë raporti. Duke iu referuar ligjit mbi prokurorinë, miratuar në vitin 2008, OSBE thotë se, në rastin më të mirë, Prokuroria do ta ruajë pavarësinë e saj dhe e vetmja pasojë do të jetë degradimi deri diku i përgjegjshmërisë së prokurorëve dhe dobësimi deri diku i rolit të Presidentit. "Në rastin më të keq, Prokuroria mund të bjerë nën autoritetin e Kuvendit, duke e dobësuar ndarjen kushtetuese të pushteteve", nënvizon raporti. OSBE konstaton se pas një viti hetimesh mbi shpërthimin e Gërdecit, në shkurt të vitit 2009, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se 28 zyrtarë ishin përgjegjës për tragjedinë. "U deklarua se Gjykata e Lartë do të shqyrtonte çështjen ligjore kundër ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Të pandehurit e tjerë janë duke u gjykuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Në shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë e pushoi çështjen kundër Mediut, me argumentimin se, duke u

rizgjedhur si anëtar i Kuvendit dhe duke u emëruar si ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ai kishte fituar përsëri imunitet, ndërkohë që prokuroria nuk kishte arritur të rinovonte kërkesën për heqjen e imunitetit përpara seancës gjyqësore", tha OSBE. Duke iu referuar ligjit për pastrimin e figurave, OSBE thotë se ai kaloi përmes debateve të shumta politike. "Ai u kritikua gjerësisht dhe në mënyrë publike nga faktorët vendas dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu Prezencën, lidhur kryesisht me disa elementë që dukej se shkelnin Kushtetutën", thuhet në raport.

D.M.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›