Vaqar; Të dënuarit hyjnë në grevë urie për kushtet në burg
Të rritur dhe minorenë të dënuar që kryejnë dënimin në ambientet e burgut të Vaqarit janë futur në grevë urie, duke mos pranuar ushqimin e servirur nga burgu. Burime nga burgu bëjnë të ditur se grevistët e dënuar kanë paraqitur një numër të madh ankesash, duke deklaruar se do ta vazhdojnë grevën derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Janë gati 70% e të dënuarve që kanë refuzuar ushqimin dhe duket se do vazhdojnë ta bëjnë për një kohë të gjatë nëse kërkesat e tyre nuk merren në shqyrtim nga autoritetet. Sipas burimeve nga ky institucion, mësohet se në katin e parë nga 13 dhoma, 5 prej tyre nuk kanë pranuar ushqimin e servirur. Ndërsa në katin e dytë nga 20 dhoma, 15 prej tyre e kanë refuzuar. Grevës së të rriturve i janë bashkuar edhe minorenët. Mësohet se 15 minorenë nuk kanë pranuar vaktet ushqimore, duke shpjeguar se burgu duhet të përmbushë kërkesat e tyre. Burime nga burgu kanë bërë me dije se të burgosurit kanë kërkuar dje që të hapen dyert e dhomave për arsye ajrimi nga ora 08:00 deri në orën 15:00. Mësohet se dyert e dhomave janë mbyllur nga ana e gardianëve pas freskimit të motit. Kushti i dytë i vënë nga ana e të burgosurve ka qenë shtimi i ajrosjes me një orë pasdite, e cila ka funksionuar vetëm paradite. Përveç kushteve për ajrim, problemi i vënë në dukje nga ana e personave që janë duke vuajtur dënimin janë edhe çmimet e dyqanit të burgut. Të burgosurit pretendojnë se çmimet në burg janë më të shtrenjta seç blihen në treg. Për këtë, ata kërkojnë që të barazohen çmimet e dyqanit të burgut me ato të tregut, pasi janë dyfish më të larta. Një tjetër ankesë ku janë ndalur të burgosurit është edhe zbatimi i rregullores për lejet e të dënuarve, duke pretenduar se atyre iu është mohuar leja pas kërkesave që kanë bërë në drejtori. Në fund të ankesave të tyre, të dënuarit e burgut të Vaqarit kanë kërkuar një ambient sportiv të mbyllur, i cili do të përdorej prej tyre në periudhën e dimrit, duke mos lejuar në këtë mënyrë edhe mbylljen e tyre brenda qelive. Drejtori i Burgut të Vaqarit shpjegon se ndryshimet e orarit për ajrosje janë kryer me rregulloren e Drejtorisë së Burgjeve, për shkak të ftohjes së motit, ndërsa theksoi se nuk i ishin vënë në dispozicion asnjë nga ankesat e të dënuarve.