E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olli: Sot miratohen tabelat për Tiranën

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, deklaroi dje se vendimmarrja në këtë institucion për numërimin e fletëve të gjetura në kutitë e gabuara, ka qenë transparente pasi është publike. “Janë procedurat që ka parashikuar ligji dhe Kodi Zgjedhor. Pra, saktësia me transparencën janë dy elementë të ndryshëm. Saktësia nuk mund të diskutohet në një Komision Qendror të Zgjedhjeve, në institucionin më të lartë të administrimit dhe certifikimit të zgjedhjeve në vendin tonë, pra në Shqipëri. Nëse dikush mund të ketë paqartësi, mund të vijë dhe të ankohet dhe në KQZ, por mund të shkojë më pas edhe në shkallën e dytë të ankimit, Kolegji”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Olli. Ai sqaroi më tej se pas përfundimit të numërimit të fletëve të hedhura në kutinë e gabuar, në 1793 kuti, të gjitha shifrat dhe numrat po përpunohen dhe sapo informacioni të jetë gati, do të kalohet në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku do parashtrohet shifrat. “Nuk mund të bëj një analizë mbi një procedurë të kryer nga KQZ. Nën prezencën tuaj, keni parë se gjithçka ka qenë në transparencë dhe konform ligjit”, u shpreh Olli. Më tutje, ai sqaroi se ditën e premte, pritet që projekt akti final për miratimin e tabelës së rezultatit në Tiranë do të paraqitet në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në përfundim të procesit të djeshëm në KQZ, kryetari Arben Ristani tha se “besoj se këtu mbyllet ky proces për këtë fazë. Më ngelet vetëm t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj, ju përfaqësues të partive politike, vëzhgues të këtyre partive dhe stafin e KQZ-së, që bëtë një punë të vështirë, por të shpejtë dhe korrekte. Me këtë falenderim e mbyllim këtu këtë pjesë”. Vendimmarrja në këtë rast, sipas burimeve nga ky institucion, është e mundur edhe me shumicën e thjeshtë të katër anëtarëve dhe nuk ka nevojë për pesë vota.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›