E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: PS padi në Kolegj, pavlefshmëri Tiranës

Pavlefshmëri e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Ky do të jetë thelbi i padisë që do të bëjë Partia Socialiste pas vendimmarrjes së fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Për shkak se ky institucion në hapjen e kutive veproi si një KQZ dhe jo si një KZAZ, atëherë pritet që socialistët të ankimojnë direkt në Kolegjin Zgjedhor pa kaluar etapën e parë. Partia Socialiste është në procesin e analizimit të të gjitha fakteve të reja që dolën në dritë nga numërimi i KQZ-së, prej të cilit Lulzim Basha doli fitues me 95 vota më shumë se kandidati Edi Rama. Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, u shpreh për mediat se së shpejti do të depozitohet ankimimi i ri në Kolegjin Zgjedhor. Në vlerësimin e Xhafës duken qartazi dhe janë më se të vërtetuara parregullsitë që kanë shoqëruar procesin e hapjes së kutive të votimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Trendi i votave të hedhura jo në kutinë përkatëse dhe që po vlerësohen sipas Kolegjit, nuk përputhet. 117 kuti kanë rezultuar me pabarazi. Të gjitha këto e bëjnë këtë proces jo të parregullt, por në vlerësimin tonë të deformuar dhe të manipuluar, që ka prodhuar një rezultat që s’i përgjigjet votës së qytetarit”, u shpreh Xhafaj. Duke analizuar më në detaje procesin, Xhafaj ka zbuluar edhe shtyllat e padisë që do të depozitojë selia rozë në Kolegj. “Kishin mbetur disa njësi, ku nuk kishte mbaruar procesi i numërimit dhe aty u hodhën ca vota të Lulit. Them kështu sepse ato ishin vota të prodhuara nga fabrika e Saliut dhe prandaj u gjetën në 117 kuti. Ato ishin votat e Lulit dhe jo të qytetarëve. Një nga elementët e manipulimit është futja e votave të Lulit nga njerëzit e Saliut, në procesin e numërimit në këshilla bashkiak dhe për kryetar bashkish”, argumentoi deputeti Xhafaj. Ndër argumentet e tjera të paraqitura nga ligjvënësi socialist, ishte edhe çështja e debatit mbi numërimin dhe leximin e çdo vote të qytetarëve. Xhafaj këmbënguli se nëse mazhoranca do të ishte e shqetësuar, nëse Basha do të ishte i shqetësuar për zërin e qytetarëve, ai duhet t’i kishte kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve jo vetëm 117 kuti, por hapjen e të gjitha kutive në respekt të barazisë së votës. I pyetur nëse, a nënkupton kërkesa për pavlefshmëri të rezultatit, ripërsëritjen e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës, Xhafaj tha se “ne do vazhdojmë procedurën e ankimimit. Një gjë është e qartë, nuk ka nevojë të përfundojë ky proces për të thënë se rezultati është i papranueshëm, pasi mbështetet në manipulime”. Socialistët duket se nuk do ta konsumojnë fazën e ankimimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi aty duhet të kundërshtonin vetëm mosfutjen në tabelën e rezultatit të votave të numëruara në gjashtë ditët e fundit. Në këtë kuptim, PS nuk do të fitonte asgjë nga një shqyrtim i mundshëm në këtë institucion. Sakaq, ankimimi direkt në Kolegjin Zgjedhor i krijon mundësinë socialistëve të kërkojnë pavlefshmërinë. Kjo e fundit do të bazohet te cenimi i integritetit të kutive të votimit, të numëruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një tjetër element ku do bazohen socialistët është edhe mos rakordimi i numrit të fletëve të votimit të hedhura në kuti, me ato të vullneteve të shprehura për kutinë përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›