Omari: Presidenti, jo nga populli, të zgjidhet sërish me 3/5 e Kuvendit
Një nga konstitucionalistët e njohur në vend, Luan Omari, tha dje për MAPO-n se Kushtetuta aktuale ka vend për ndryshime dhe ato më së shumti duhet të rregullojnë raportin midis pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, që u cenua rëndë në favor të këtij të fundit, me amendamentet kushtetuese të 28 prillit 2008. Omari shprehet kundër zgjedhjes së Presidentit nga populli dhe propozon rikthimin në modelin e para 2008-ës, ku kreu i shtetit zgjidhej me 3/5 e votave të Kuvendit.
Si e konsideroni idenë e hedhur nga kreu i PS-së, Edi Rama, për ri-ndryshimin e Kushtetutës?
Edhe përpara deklaratës së Edi Ramës, nga juristë dhe analistë të ndryshëm janë shprehur mendime për ndryshime të mundshme në Kushtetutë. Mendime të tilla janë shprehur për shembull në konferencat shkencore të mbajtura në vitet 2009 dhe 2010 në fakultetet e drejtësisë të Universiteteve të Tiranës, të Shkodrës dhe të Korçës, të organizuara me nismën e fondacionit “Soros”. Këto çështje janë trajtuar edhe në librin tim "Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese", që ka dalë nga shtypi në fillim të qershorit të kaluar.
Sipas jush, ku është e nevojshme për t’u ndërhyrë në Kushtetutën aktuale?
Mendoj se ndryshimet duhet të rregullojnë raportin midis pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, që u cenua rëndë në favor të këtij të fundit me amendamentet kushtetuese të 28 prillit 2008. Gjithashtu, duhet të përcaktohen rregulla plotësuese të qarta për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. Do të duhej të përcaktohej se edhe zgjedhja e tyre nga Kuvendi të bëhej me shumicë të cilësuar, sikurse e përcaktojnë disa Kushtetuta të vendeve të tjera. Gjithashtu, duhet të afirmohet më qartë pavarësia e Prokurorisë nga pushteti legjislativ dhe nga ai ekzekutiv. Mund të bëhen ndryshime edhe në disa pjesë të tjera të Kushtetutës.
Po pjesa e zgjedhjes së Presidentit, mund të propozohet për t’u ndryshuar dhe cili mund të ishte opsioni më i volitshëm për zgjedhjen e kreut të shtetit?
Mendoj se duhet rikthyer në dispozitat e Kushtetutës përpara 28 prillit 2008, që përcaktonin zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votat e 3/5 të deputetëve, duke i vënë këta të fundit përpara dy alternativave: zgjedhjen e Presidentit, ose shpërndarjen e parakohshme të Kuvendit. Personalisht nuk jam për alternativën që Presidenti të zgjidhet nga populli. Kjo do të shmangte caktimin e tij me konsensus, dhe do të binte ndesh me rolin që i njeh atij Kushtetuta si "përfaqësues i unitetit të popullit".
Po në lidhje me sistemin zgjedhor, mendoni se ka nevojë për ndryshime?
Sistemi zgjedhor edhe mund të ndryshojë, në rast se do të vendosin partitë politike. Por mendoj se më i rëndësishëm, madje i domosdoshëm, është ndryshimi i konceptimit të formimit dhe të funksionimit të administrimit të zgjedhjeve, që ka qenë një nga shkaqet e dështimeve të vazhdueshme të procesit zgjedhor në vendin tonë.
Në prillin e vitit 2008 ndodhën ndryshimet e fundit kushtetuese, ku shumë ekspertë kanë thënë se këto ndryshime kanë dobësuar rolin e Presidentit të Republikës dhe institucioneve të gjyqësorit në raport me qeverinë. Mendoni se Rama, i cili tani po oferton ndryshimin e kësaj gjendjeje, në fakt është një ndër shkaktarët kryesorë të saj tre vite më parë?
Jam plotësisht dakord me gjykimin e këtyre ekspertëve. Sigurisht, për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ka përgjegjësi edhe Edi Rama, por përshëndes pranimin e gabimit nga ana e tij. Çdo politikan mund të gabojë, por ka rëndësi pranimi i gabimit, si hapi i parë dhe i domosdoshëm në rrugën për ndreqjen e tij.