E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: PS duhet të votojë ligjet në Kuvend

Parlamenti është shtëpia e shqiptarëve dhe deputetët duhet të marrin pjesë në të për të diskutuar dhe miratuar ligjet. Kështu është shprehur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dje gjatë takimit të zhvilluar me ambasadoren britanike Fiona McIleham, duke iu referuar pikërisht bojkotit që deputetët socialistë i kanë bërë prej disa muajsh legjislativit. Duke vlerësuar përvojën parlamentare britanike si busull edhe për parlamentarizmin shqiptar, kryeparlamentarja duke bashkëbiseduar me ambasadoren britanike, ka theksuar nevojën që deputetët të ushtrojnë detyrimin kushtetues t’i shërbejnë vendit duke marrë pjesë në diskutimet e ligjeve. “Parlamenti është shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Deputetët, si përfaqësues të popullit, duhet të ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese, të votojnë ligjet, të cilët i shërbejnë vendit dhe jo partisë”, - tha Topalli gjatë këtij takimi. E duke i qëndruar këtij argumenti, ajo ka theksuar se askush nuk mund të detyrojë një deputet që të mos ushtrojë këtë detyrim kushtetues. “Shqipëria është e para, Parlamenti është institucioni më i lartë. Çdo deputet ka privilegjin dhe detyrën për të votuar reformat e vendit. Askush nuk mund të ndajë më deputetët për të punuar bashkë”, - tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi zbatimin e programit “Westminster Foundation for Democracy”, i cili do të kontribuojë më tej në shkëmbimet ndërparlamentare mes dy vendeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›