E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedohen penalisht 14 persona për zjarret masive

Gjirokastër Paralelisht me punën që po bëjnë në terren për shuarjen e vatrave të zjarrit, efektivat e policisë në Gjirokastër vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të çdo zjarri, i cili ka kërcënuar jetën e banorëve apo pasurinë materiale. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, për të gjitha rastet e zjarreve të shfaqura në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastër janë kryer veprimet ligjore. “Në këtë drejtim gjatë punës sonë ne kemi proceduar penalisht 14 shtetas të dyshuar si shkaktarë të këtyre zjarreve, mes të cilëve barinj, mbledhës të bimëve medicinale etj.”, thonë specialistët e policisë së Gjirokastrës. Prej tyre 4 janë ndaluar, ndërsa 10 të tjerët ndiqen në gjendje të lirë. Sipas hetimeve, pjesa më e madhe e zjarreve kanë lindur si shkak i djegies së kullotave malore nga barinjtë, me qëllim ripërtëritjen e tyre, hedhjes pa kujdes të bishtave të cigareve në kullota etj. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër është e vendosur për të goditur çdo rast të zjarrvënies me qëllim apo nga pakujdesia, duke garantuar kështu jetën dhe pronën e banorëve”, thonë përfaqësuesit e policisë lokale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›