Ombrella financiare synon të shpëtojë Euron
Para 15 muajsh, në shkurt 2009, Joachim Starbatty, profesor në pension për makroekonominë në Universitetin e Tübingenit tha në mikrofonin e Deutsche Welles: "Greqia duhet ta zhvlerësojë në fakt monedhën me 40 për qind. Euroja gjendet para një prove të skajshme." Mund të jemi të sigurt: Atë që di një profesor, i cili asaj kohe ngriti pa sukses padi në gjykatën kushtetuese kundër futjes së euros, e dinë të paktën po për aq kohë edhe hedgefond-et dhe investues të tjerë institucionalë. Pra, ata patën një vit kohë për të grumbulluar trupat e tyre dhe për ta goditur kështjellën gati për sulm: First we take Manhattan, then we'll take Berlin. Në fillim do të merremi me Greqinë, pastaj me euron. Hedgefond-et vepruan këtu në mënyrë tejet metodike dhe plotësisht racionale. Ato thjesht shfrytëzojnë disekuilibrat gjigante në bilancet tregtare të vendeve anëtare të hapësirës së euros për të shumëfishuar kapitalin e tyre. Greqia ishte prova e parë dhe më e lehta. Nëpërmjet shitjes në afate të ardhshme të obligacioneve shtetërore greke pa i pasur, ato përdorin leva më të gjata që synojnë në të njëjtin drejtim me bastin e vënë për falimentim të shpejtë shtetëror me anë të të ashtuquajturave sigurime kundër mospagimit të kredive, të cilat tregtohen jashtë bursës dhe i shmangen çdo lloj kontrolli.Paketa e parë e shpëtimit që kanë përgatitur vendet e euros dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ishte gjë tjetër por pak blerje kohe. Për dy a tre vjet Greqia nuk do t'ua ketë nevojën tregjeve ndërkombëtare të kapitalit për t'u rifinancuar. Ekonomia e vendit duhet të rritej me më shumë se katër për qind në vit për të qenë në gjendje që të fillonte me forcat e veta me uljen e malit të huave, por në sajë të masave të rrepta të kursimit atje ka më shumë gjasa për një recesion dhe pas kësaj kohe vendet e euros do të gjendeshin para të njëjtit problem si sot. Llogaria e hedgefondeve është e thjeshtë: Ajo që funksionon në Greqi mund të funksionojë edhe në Portugali, në Spanjë dhe në Itali. Dhe sa më shumë gurë të bien nga muri i euros, aq më shumë vihet edhe vetë euroja në shënjestër, me future-a monedhe. Unë të premtoj për 1 janar 2011 shitjen për një dollar të një euroje që sot kushton 1,28 dollarë. Këto euro unë nuk i posedoj ende, por kur të duhet ti livroj, i blej në tregun e valutës, për 88 centë amerikanë. Një pazar grandioz. Zgjati shumë derisa politikanët evropianë të financave dhe guvernatorët e bankave qendrore kuptuan: Nuk është fjala për Greqinë ose Portugalinë, bëhet fjalë për euron. Ombrella mbrojtëse e hapur tani për euron ka si synim të jetë një sinjal i qartë për tregjet financiare: Bastet kundër euros nuk do të dalin. Dhe që ky sinjal të ketë efekt, forcohet me një shumë të papërfytyrueshme prej gjysmë bilioni eurosh. Tani mbetet të pritet se sa kohë do të ketë efekt ky sinjal, pasi masat monetare janë vetëm njëra anë e medaljes. Nëse ato nuk ndiqen nga reforma në institucione dhe në kodin e tregjeve financiare, atëherë nuk ka për të mjaftuar as kjo shumë për të ndalur spekulimet kundër euros. Propozime ka mjaft: Sektori financiar duhet përfshirë në financimin e detyrave publike dhe në kostot pasuese të krizave financiare, në çfarëdolloj forme. Tregtimi pa kuadër rregullativ i obligacioneve shtetërore me sigurime kundër mospagimit të kredive duhet ndaluar kur tregtari nuk është huadhënësi i vërtetë. Edhe për instrumentin e shitjeve të ashtuquajtura bosh duhet menduar. Ato nuk mund të ndalohen, sepse shumë prej tyre i shërbejnë sigurimit të tregtisë, që e ka afatin në të ardhmen, por në njëfarë forme tregtia me derivate duhet ndaluar, për t'i hequr majën spekuluese. Dhe së fundi në marrëveshjen e euros duhet ankoruar një kod insolvence, siç ekziston prej kohësh për sipërmarrjet dhe familjet, vetëm për shtetet ende jo.
12 Maj 2010