E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helmimi, mbi 350 qytetarë përfundojnë në spital



Artan CENA
BALLSH - Më shumë se 200 nxënës janë paraqitur në spitalin e Ballshit për të marrë mjekime, pasi kanë shfaqur shenjat e helmimit. Gjatë paradites së djeshme gjendja në Ballsh është rënduar edhe më shumë, pasi janë mbyllur tri shkolla. Ende nuk ka një numër të saktë të njerëzve që janë prekur nga helmimi misterioz, që dyshohet se ka ardhur nga uji. Gjatë dy ditëve numri i të shtruarve dhe i atyre që kanë marrë mjekime në urgjencë ka qenë rreth 170, por dje ai është rritur në 350. Drejtori i Ujësjellësit, Shyqo Metaj, ka bërë të ditur se janë dërguar mostrat e ujit në ISHP në Tiranë për t'u analizuar nëse ka baktere apo helme në përbërjen e tij. Ndërkohë, dyshime ka edhe te mielli i bukës, pasi helmimi është shfaqur edhe te banorët e fshatrave, të cilët nuk furnizohen nga ujësjellësi i qytetit.
Spitali
Në spitalin e Ballshit situata gjatë ditës së djeshme ka qenë mjaft kaotike. Të shumtë në numër kanë qenë qytetarët që kanë shkuar për të marrë ndihmë mjekësore. Të ardhur në numër të madh në spital, mjekët kanë bërë thirrje që qytetarët të shkojnë në spitalin e Fierit, pasi nuk kishte më vende për të përballuar të sëmurët që paraqiteshin orë e çast në urgjencë. Por, shumica e tyre nuk kanë pranuar që të shkojnë në spitalin rajonal, duke kërkuar vetëm mjekime me serume dhe duke shkuar më pas në banesat e tyre. Rastet e djeshme kanë qenë përgjithësisht të nxënësve të shkollave, të cilët janë paraqitur me simptomat diarre e të vjella. Por, shume raste janë dërguar në Fier, pasi situata ka qenë e papërballueshme në Spitalin e Ballshit. Gjatë një komunikimi me median, drejtoresha e spitalit të Ballshit, Luljeta Bregasi, ka deklaruar se “rastet janë aq të shpeshta, sa ndodh që dy nxënës marrin serum në të njëjtin shtrat”. Nxënësit ndaj të cilëve janë paraqitur simptomat ishin të shkollave 9-vjeçare "Odiseja", "Besëlidhja" dhe "Ismail Klosi". Nga frika e helmimit dhe i përhapjes së ndonjë virusi të rrezikshëm, mësimi në këto shkolla dhe në të gjitha shkollat e tjera të qytetit është ndërprerë ditën e djeshme. Për hapjen e tyre pritet që të jepet një urdhër i dytë.
Hetimet
Drejtoresha e spitalit rajonal të Ballshit, Luljeta Bregasi, bëri të ditur se simptomat e helmimit janë në fazën e parë. "Pacientët nuk janë rëndë. Aktualisht marrin mjekim për intoksikim. Me pak fjalë, marrin serumin dhe largohen në shtëpi". Sipas Bregasit, dyshohet që shkak të jetë uji i pijshëm, por siç thekson ajo, "janë analizat zyrtare ato që e vërtetojnë këtë". Dyshime ka edhe te mielli i bukës, pasi helmimi është shfaqur edhe te banorët e fshatrave, të cilët nuk furnizohen nga ujësjellësi i qytetit.

Policia: Kemi ngritur dy grupe hetimi
FIER - Kanë nisur hetimet nga policia për zbardhjen e shkaqeve që kanë çuar në spital deri tani më shumë se 350 persona. Policia e Fierit ka bërë të ditur se njoftimi për këtë ngjarje është marrë rreth orës 20:00 të dy ditëve më parë, nga një telefonatë e spitalit të Mallakastrës në sallën e policisë. Ata kanë njoftuar se në ambientet e këtij spitali, brenda një kohe të shkurtër, kanë mbërritur me shenja helmimi rreth 100 persona, banorë të qytetit të Ballshit. Sapo është marrë njoftimi nga Drejtoria e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, janë formuar 2 grupe hetimore dhe nga veprimet e para rezulton se të paraqiturit në spital kishin shenja helmimi. Në vijim të kësaj situate që po ndiqet nga një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mjekësisë Ligjore është bashkërenduar puna me shërbimet e spitalit rajonal të Fierit për vënien në shërbim të plotë për pritjen dhe dhënien e ndihmës mjekësore të të sëmurëve. Nga strukturat e Drejtorisë Policisë së qarkut Fier vazhdon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje, për të cilën janë ngritur dy grupe hetimore.

Pranga së resë, u kap duke prostituuar
DURRËS - Një 20-vjeçare është vënë në pranga nga policia, pasi akuzohet për prostitucion. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se, dje, në orën 13:00, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetases V. B., 20 vjeçe, banuese në fshatin Fushë-Peshtan Berat, e paarsimuar, e dënuar dy herë më parë për veprën penale të ushtrimit të prostitucionit. Siç mësohet, arrestimi i saj është bërë pasi dje, rreth orës 10:00, është kapur në flagrancë në sektorin Rinia Durrës, duke ushtruar prostitucion kundrejt fitimit prej 1 mijë lekësh me shtetasin me iniciale L. Rr. Dosja me materialet procedurale ndaj saj për veprën penale të “ushtrimit të prostitucionit”, i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Basha: “Partner në përballimin e fatkeqësive”
TIRANË - Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet për t'u paraprirë dhe përballuar fatkeqësitë natyrore. Kjo ka qenë deklarata e ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dje në një seminar për fatkeqësitë natyrore dhe zjarret. "Të dhënat e deritanishme tregojnë sukses në fushën e mbrojtjes civile dhe premtojnë zhvillime të tjera", - u shpreh ai. Basha nënvizoi se i gjithë rajoni duhet të bashkërendojë kapacitetet për fatkeqësitë natyrore. Ministri theksoi se Shqipëria do jetë një partnere e drejtë në çdo skemë bashkëpunimi, në çdo plan, zbatimi i të cilit kërkon një angazhim profesional për përballimin e çdo fatkeqësie në rajon. Alfred Olli, drejtor i Emergjencave Civile, u shpreh se shërbimi i Emergjencave do jetë një partner konstruktiv në ndihmë të komunitetit.

Tenton të vetëvritet, në gjendje të rëndë i riu

DURRËS - Një i ri është vetëhedhur nga lartësia për t’i dhënë fund jetës dhe ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në qytetin e Durrësit. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se rreth orës 17:10, në spitalin e Durrësit është dërguar i aksidentuar si pasojë e rënies nga lartësia 24-vjeçari me inicialet A. M., lindur e banues në Lagjen 13 Durrës, me arsim 8 klasë. Nga kryerja e veprimeve të para hetimore policia ka arritur në përfundimin se ky person vuan nga depresioni nervor që pas një aksidenti automobilistik të ndodhur para shtatë vitesh në Itali. Nga hetimet e bëra është mësuar se 24-vjeçari në fjalë është vetëhedhur nga dritarja e katit të dytë të banesës së tij. Ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak, Tiranë. Dosja me materialet procedurale i kanë kaluar për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

12 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›