E Diel, 1 Nëntor 2026

Omonia reagon per deklaraten e Kryeministrit Berisha

Megjithë sqarimin zyrtar se deklarata e kryeministrit Berisha me 27 nëntor, “nuk shpreh asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve”, organizata e minoritetit grek në Shqipëri Omonia, thekson se ato deklarata “përbëjnë revokim të drejtpërdrejtë të pretendimeve territoriale të Shqipërisë ndaj Greqisë”.
 “Me deklarata jorealiste dhe antihistorike, vihet në rrezik paqja dhe bashkudhëtimi i vendeve drejt integrimit europian. Ata që artikulojnë pikëpamje të tilla, gjenden diametralisht kundër me imperativat e kohës dhe aspiratat e popujve, ofendojnë marrëdhëniet greko-shqiptare, që përbëjnë dimension esencial në bashkëpunimin e kërkuar paqësuar në këtë rajon të Europës Juglindore”, thuhet në deklaratën e Omonias.

Qëndrimi vjen në të njëjtën linjë me pozicionimin zyrtar të Athinës. Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos, një ditë më parë, tha se deklaratat e kreut të qeverisë shqiptare ishin të papranueshme.

 “Vendosa të anulloj vizitën në Tiranë, pasi më parë kërkova që të sqaroheshin deklaratat (e Berishës), gjë që përfundimisht u bë, por me vonesë. Deklarata të tilla e kthejnë rajonin në të kaluarën e vet më të keqe. Duam marrëdhënie miqësore. Marrëdhënie fqinjësh të mirë. Dhe do të vazhdojmë të ndërmarrim iniciativa në këtë drejtim. Mirëpo për çështje të dinjitetit dhe integritetit kombëtar, nuk tolerojmë. Këtë mesazh Tirana e mori në mënyrë të qartë. Dhe ka rëndësi të veçantë, që edhe Komisioni Europian i drejtoi një paralajmërim të rreptë Shqipërisë”

Këto deklarata nuk kanë ndalur kryeministrin Berisha t’i rikthehet historisë dhe tentativave për asgjesim të Shqipërisë, përgjatë dekadave para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Nëse në Athinë deklaratat e Berishës cilësohet si rrezik për marrëdhëniet dypalëshe, kreu i qeverisë shqiptare, por edhe të tjerë politikanë shqiptarë, majtas e djathtas, theksojnë se historia nuk mund të harrohet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›