E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendra në Singapor, Shqipëria satelit, ky është rrjeti i basteve që xhiron miliona

Prokuroria e Kremonës po heton në lidhje me skandalin më të fundit të trukimeve në futboll. Është arrestuar ish-kapiteni i Atalantës, Kristiano Doni që u ofronte 100 mijë euro lojtarëve që bëheshin pjesë e shitjes së ndeshjeve

Shifra marramendëse për të trukuar ndeshjet. Këto dhe të tjera po dalin nga Prokuroria e Kremonës që po heton për bastet e paligjshme në futboll. Për shembull, lojtarëve të Grosetos, Karobio, Konteh, Joelshon e Açerbis, për humbjen në shtëpi të skuadrës së tyre përballë Rexhinës, u janë ofruar 100 mijë euro. Ndërkohë, është gjetur kompjuteri i Kristian Donit, që ishte fshehur në kasafortën e shtëpisë së tij, ekzistencën e të ciliy ish-kapiteni i Atalantës e kishte mohuar. Hetuesit shpresojnë që të gjejnë në kompjuter të dhëna që mund të konfirmojnë tezat akuzuese. Nuk përjashtohet mundësia që aty të gjenden edhe gjurmë transfertash parash me personazhe që ende nuk kanë dalë në hetuesi. Ndërkohë, hetuesit e policisë janë ende në kërkim të skedës telefonike rumune të përdorur nga lojtari, që sipas akuzës, është përdorur për të kontaktuar me bashkëpunëtorët e tij. Lojtari mund ta ketë zhdukur ose mund t’ua ketë dhënë personave të tjerë.

Duke u kthyer te ndeshja mes Grosetos dhe Rexhinës, gazeta La Repubblica tregon: “Akordi parashikonte 2 gola avantazh të Rexhinës, një rezultat final me të paktën tre gola të shënuar dhe se Groseto nuk duhej të pësonte gol në 15 minutat e para të ndeshjes. Ndryshe nga sa ishte folur, ndeshja u mbyll 2-2 me barazimin e Grosetos me penallti në minutën e 90-të, shënuar nga një lojtar që nuk kishte të bënte fare me akordin kriminal”. Karobio refuzoi ta gjuante penalltisë dhe këtë e bën Konsoni, që në fund të ndeshjes do të thoshte: “Mora përsipër një përgjegjësi të madhe. Të themi se ua hoqa sikletin disa shokëve të mi që nuk e ndjenin ta gjuanin”. Anomaliteti i fundit ka të bëjë me Albinolefen. Skuadra lombarde ishte njëra që u interesonte më shumë shoqërisë aziatike që menaxhonte gjithçka. Për ndeshjen me Piaçencën, janë luajtur 6 milionë e gjysmë euro vetëm në Angli. Ndeshja u mbyll 3-3.

Skandali, i cilësuar si më i rëndi në futbollin italian, që pas shembjes së Calciopoli-t, po trondit strukturat drejtuese të të gjitha kategorive profesioniste në Itali dhe gjatë hetimeve përmendet edhe Shqipëria, si vend bazë e një filiali të organizatës së fuqishme aziatike të trukimit të ndeshjeve. Dyshohet se bosi i rrjetit të paligjshëm të basteve sportive është një aziatik i quajtur Ten Set Eng. Ai ka shtrirë rrjetin e tij të basteve Organizata shtrihet në Azi, Amerikën Latine dhe Europë me dy filiale, Sllovaki dhe Shqipëri. Emri i Ten Sen Eng, lindur në Singapor, ka dalë për herë të parë në publik si kreu i organizatës së paligjshme të basteve në Finlandë, kur autoritetet vendase arrestuan e më pas dënuan me dy vjet burg një shtetas nga Singapori. Mësohet se në dëshminë e tij, shtetasi nga Singapori ka treguar detaje në lidhje me organizatën e udhëhequr nga Ten Sen Eng, shtrirjen e saj dhe mënyrën e vendosjes së basteve. Ai thotë në dëshminë e tij, se organizata dërgonte përfaqësuesit e saj pranë futbollistëve dhe presidentëve të klubeve të cilëve u kërkonin fiksimin e ndeshjeve në këmbim të shumave të mëdha të parave. Shtrirja e organizatës, thuhet më tej në dëshmi, ishte në Azi, Europë dhe në Amerikën Latine, me dy kryeqendra, Argjentinë dhe Bolivi. Ndërsa për Europën, sipas dëshmisë, dy ishin bazat, njëra në Sllovaki dhe tjetra në Shqipëri. Lidhur me skandalin ka reaguar edhe federata italiane e futbollit. Presidenti i saj, Abete, tha për mediat se bëhet fjalë për një fenomen mbarëbotëror, që nuk ka prekur vetëm futbollin italian. Lufta ndaj këtij fenomeni, tha ai, mbetet prioritet i federatës italiane të futbollit dhe atyre ndërkombëtare, përfshirë këtu UEFA-n e FIFA-n.

Ndërkohë në Kremona ka nisur marrja në pyetje e njërit prej lojtarëve të përfshirë në skandalin e basteve, Filipo Karrobio, ndërsa lojtari që organizonte gjithçka në Itali, Kristiano Doni, ish-lojtar i kombëtares së Trapatonit në Kupën e Botës 2002, është në burg pasi një ditë më parë tentoi të arratisej duke thyer kështu lirinë me kusht të vendosur nga gjykata.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›