E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Onufri” shkon për Hasan Nallbanin

Jo vetëm për natyrën e saj të brishtë, delikate, për bukurinë fizike e shpirtërore, por edhe për rolin e saj vendimtar në shoqëri, për forcën e madhe dhe për dashurinë që mbart brenda vetes, figura e femrës ka qenë dhe vazhdon të mbetet burim frymëzimi për piktorin e madh, Hasan Nallbani. “Kompozim”, vepra me të cilën u paraqit “Onufri ‘09”, është vlerësuar si më e mira e konkursit ndërkombëtar të arteve pamore.

Ka qenë pikërisht kjo vepër, të cilën juria e përbërë nga kryetari Francesco Poli dhe anëtaret Suzana Varvarica Kuka dhe Alma Mile, pas shqyrtimit e ka vlerësuar me çmimin e parë me motivacionin ”Për cilësinë dhe origjinalitetin që karakterizon pikturën e tij në këtë fazë të fundit. Për një liri kompozimi, i cili karakterizohet nga një tension vital shprehës. Cilësi këto që janë shumë aktuale në ditët e sotme”.

Vendi i dytë i konkursit është ndarë mes artistëve Enkelejd Zonja (për veprën “Përrallë nga 1997”) dhe Aldi Zgjani (për veprën “Sit still seeking!”). Lajmi u bë i ditur në ceremoninë e dorëzimit të çmimeve, e organizuar në sallën e bibliotekës së Galerisë Kombëtare të Arteve. Në zgjedhjen e fituesve juria ka qenë e “kushtëzuar” nga një sërë kriteresh paraprake, që nuk kanë të bëjnë me cilësinë artistike, por më shumë me brezat. I pari kriter specifikon se “vlerësimet me çmime t`i jepen artistëve që jetojnë dhe krijojnë në Shqipëri me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e sistemit të artit pamor në Shqipëri”.

Duke qenë se këtë vit “Onufri” i përjashtoi artistët e huaj, ky kriter ka përjashtuar nga çmimet edhe ata pak artistë shqiptarë pjesëmarrës që jetojnë e krijojnë jashtë. Kriteri i dytë parashikonte që çmimi i parë i përket artistëve të quajtur “Old generation artist”(gjeneratat e vjetra) dhe çmimi i dytë artistëve të brezit të ri. Hasan Nallbani, i cili nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, në muajin qershor të vitit të kaluar, çeli një ekspozitë personale në Galerinë e Arteve, ku në qendër të saj ishte edhe një herë figura e gruas.

Atëkohë ai paraqiti 68 punime të teknikës vaj në kanavacë (në të tillë teknikë është punuar edhe vepra fituese e “Onufrit ‘09”) të realizuara në periudhën 2006-2009.Figura e gruas për piktorin Hasan Nallbani është një nga motivet më interesante e më tërheqëse për t’u përcjellë në pikturë. Për të, gruaja është interesante në të gjitha aspektet, për shkak të delikatesës, të dobësisë që prezanton, si dhe të bukurisë së saj fizike që e karakterizon.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›