“7arte” aksion
“7arte” vitin e kaluar ishte i suksesshëm, ngase pati rreth 10 aktivitete kulturore të organizuara në nivel kombëtar e evropian. Kjo e beri këtë manifestim të hyjë në përgatitje për aktivitetet e tjera të cilat nuk do të jenë pak.
Ky grup i të rinjve mitrovicas hapën këndin “7arte”, ku konkretizuan dhjetëra ide të artistëve të rijnë. Përveç mundësisë për të lexuar libra të ndryshëm, organizuan edhe aktivitete kulturore që kanë për qëllim promovimin e artistëve dhe identifikimin e tyre në mënyrë që në raste të caktuara t’iu jepet rasti për pjesëmarrje në aktivitetet kulturore jashtë Kosovës.
Duke qenë pjesë e Rrjetit Evropian të Kinemasë së re “NISI MASA”, partneriteti që ka krijuar ky asociacion ka bërë të mundur që të shkëmbehen artistë dhe të dizajnohen programe të përbashkëta evropiane.
”Asociacioni 7arte ka për qëllim të mbështesë artistët kosovarë si dhe të zhvillojë e te promovojë kulturë të përbashkët evropiane”, thotë Lulzim Hoti, drejtues i “7arte”.
Gjatë vitit 2010, 7arte ka paraparë implementimin e disa programeve kulturore të nivelit kombëtarë dhe ndërkombëtarë të cilat do ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të kulturës.” Për të pestin vit me radhë do të promovojmë garën evropiane për skenar të filmit të shkurtë” thotë Hoti.
Ndërsa krahas kësaj gare është paraparë edhe një punëtori rreth shkrimit të skenarit për film, që do të zhvillohet në Rugovë të Pejës. Ndërsa, seminari ndërkombëtar do ketë për qëllim përmirësimin e strategjive të komunikimit për organizatat rinore në nivel të Evropës që do ta organizojnë gjatë muajit gusht në Prizren. Me këtë rast do të marrin pjesë 20 pjesëmarrës nga shtete të ndryshme Evropiane.
” Për këto dy projekte kërkojmë mbështetje institucionale dhe presim mbështetjen e duhur, ngase aktivitete të tilla tërthorazi promovojnë kulturën dhe shtetin tonë”, përfundon Hoti.