Emin Riza
Akademiku i kushton një botim të plotë studimit të banesës qytetare në hapësirën shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës
Rreziku që i kanoset banesës qytetare
Pas rreth 40 vitesh studim të banesës qytetare shqiptare, profesor Emin Riza, tashmë edhe akademik i kushton një botim të plotë duke përfshirë edhe hapësirën kosovare. “Qyteti dhe banesa qytetare shqiptare shek XV-XIX” promovohet sot në ambientet e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Duke e tipizuar dhe i dhënë një vend parësor në Ballkan për kohën kur është krijuar, Riza shprehet se me zhvillimet e sotme ekonomike banesa qytetare shqiptare është mjaft e rrezikuar. Kërcënimit i shtohet edhe moszbatimi i legjislacionit ekzistues.
Pas rreth 20 vjetësh i riktheheni studimit të banesës shqiptare. Me çfarë elementesh është pasuruar ky botim?
Në vitin 1991 unë pata botuar monografinë “Qyteti dhe banesa shqiptare të Mesjetës së vonë”, duke konsideruar me Mesjetë të vonë periudhën e shekujve 15-19 kur praktikisht Shqipëria ishte e përfshirë në suazën e Perandorisë Otomane. Që prej vitit 1991 deri më sot njohja e realitetit të banesës qytetare shqiptare është rritur dhe zgjeruar sidomos me mundësinë që unë pata gjatë vitit 2004-2005 për t’u njohur me trashëgiminë e banesës qytetare kosovare. Gjatë kësaj kohe punova si këshilltar i Ministrisë së Kulturës së Kosovës për probleme të trashëgimisë kulturore. Në fund të qëndrimit tim në Kosovë me atë material që arrita të mbledh hartova monografinë “Banesa qytetare kosovare e shekujve 18-19”, vizatimet e të cilës i pati përpunuar kolegu im, Njazi Haliti, fatkeqësisht i ndarë nga jeta. E gjeta të arsyeshme që këto materiale t’i rishkruaj tërësisht duke përfshirë këtu hapësirën e Shqipërisë politike dhe atë të Republikës së Kosovës. Më vjen keq që nuk pata rastin të përfshij në këtë punim banesën shqiptare të hapësirës politike të Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Greqisë, por mbase do të kem kohë ta plotësoj.
A ka dallime tipologjike mes banesës qytetare shqiptare dhe asaj kosovare?
Banesa kosovare përfshihet natyrshëm në banesën qytetare shqiptare për shkak të kushteve të njëjta ekonomiko-shoqërore, por edhe tipologjikisht. Por duke qenë se gjatë periudhës së shekullit 15-19 njësimi ekonomiko-shoqëror i trojeve shqiptare ashtu si edhe i popujve të tjerë ballkanikë për arsye historiko-kulturore kishte diversitet, në këto rrethana edhe banesa qytetare ashtu si ajo fshatare nuk ka një njësi të dalluar, por duke pasur tipare thelbësore të përbashkëta, tipologjia e banesës është e ndryshme në hapësirën shqiptare. Përgjithësisht në tipat tradicionalë të banesës qytetare shqiptare si banesës me hajat dhe çardak që janë tipat më të lashtë, gjejmë të njëjta dukuri me variacione jo të karakterit kompozicional, por të tjera dytësore(kam parasysh trajtimin e hajatit apo çardakut në bazë të klimës). Për shkak të këtij copëzimi kryesisht ekonomik të shoqërisë shqiptare të kohës, ka tipologji që kanë shpërndarje rajonale në qytete të ndryshme dhe tipologji relativisht shumë të lashta ose të reja janë të përhapura në një ose disa qytete. Nëse marrim shembuj banesa me zjarr qendre nuk haset në Kosovë, por vetëm në Tiranë, Kavajë dhe në disa fshatra rreth tyre. Po ashtu banesa gjirokastrite nuk haset në Kosovë dhe e kundërta kulla qytetare që është e përhapur në Kosovë nuk haset në Shqipëri. Tipin e banesës me qosh që e kam quajtur dikur banesa korçare e kam gjetur në Kosovë, veçanërisht në Gjakovë, por edhe qytete të tjera.
Me zhvillimet e reja ekonomike sa e kërcënuar është tipi i banesës qytetare?
Për shkak të arsyeve të karakterit politik, banesa qytetare kosovare nuk ka zënë vendin e duhur në trashëgiminë kulturore të Kosovës. Ajo është përdorur si pjesë e synimit antihistorik për të treguar se Kosova gjasme qenka vatra e serbizimit, mashtrime që i ndeshim vazhdimisht. Ndërsa te ne, për t’u thënë të vërtetat, për shkak të ndërtimeve të reja gjinia e banesës popullore ndër monumentet e arkitekturës është më e kërcënuara. Kjo valë e re zhvillimesh është pozitive, sepse kërkohet të ndërtohet sipas kritereve bashkëkohore, por nga ana tjetër tepër negative, sepse ruajtja e këtyre banesave ka vlera të padiskutueshme dhe të patjetërsueshme të dokumentimit historik. Janë fort të kërcënuara dhe me gjithë që legjislacioni ekziston, janë nën mbrojtjen e shtetit, zbatimi i kësaj ligjshmërie çalon rëndë.
Gjirokastra dhe Berati janë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s për tipologjinë e banesave. A mund ta meritonte ndonjë qytet kosovar këtë mbrojtje?
Nga përvoja e hartimit të dosjes së Beratit dhe Gjirokastrës di se nuk është e lehtë të bëhesh pjesë e pasurisë botërore. Në kontekstin se si trajtohen këto nga UNESCO vështirësohet eventualiteti i paraqitjes në këtë fushë të një qyteti p.sh. si Prizreni që për mua mund të ishte. Por për arsyen praktike se në një hapësirë relativisht të vogël të shpallen tri qytete pasuri botërore ku edhe tipologjia është pothuajse e njëjtë, për të qenë realisht e quaj të vështirë. Mjaft të përmendësh që në hapësirën ballkanike vetëm Dubrovniku është shpallur si pasuri botërore dhe një qytet në Turqinë Aziatike. Për mendimin tim, por mund të ketë kategori të tjera monumentesh të arkitekturës shqiptare të hapësirës së Kosovës që mund të paraqiten për mbrojtje në UNESCO.
#