Operacionet e 24 orëve të fundit, Balla: Reagimi në kohë rrit besimin e qytetarëve tek Policia

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Policia e Shtetit në kuadër të luftës ndaj paligjshmërisë, në 24 orët e fundit ka arrestuar 49 shtetas.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një reagim në rrjetet sociale ndau pamje nga operacionet policore kundër armëmbajtjes pa leje, narkotikëve etj. Ai theksoi se besimi i qytetarëve te Policia është ngushtësisht lidhur me reagimin në kohë të forcave të rendit mbi ankesat apo thirrjet për ndihmë të qytetarëve.
Balla theksoi se “rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit lidhet ngushtësisht me reagimin në kohë mbi ankesat apo thirrjet për ndihmë të qytetarëve, goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të kultivimit/shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të fenomeneve të tjera kriminale”.
Ministri i Brendshëm më tej përgëzoi Policinë e Shtetit, Tiranë, Lezhë, Elbasan, Korçë, Kukës, Vlorë, Fier, Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Dibër, Berat dhe Departamentit të Kufirit për rezultatet e 24 orëve të fundit, të cilat kanë vendosur para drejtësisë 49 shtetas dhe sekuestruar armë zjarri, municion luftarak dhe sasi lëndësh narkotike.