E Enjte, 5 Nëntor 2026

PD, kërkesë për interpelancë urgjente me Ramën

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar të premten në Kuvend kërkesën për një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama.

Sipas Grupit Parlamentar të PD, kreu i qeverisë, Rama ka emëruar këshilltar një agjent të huaj të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një reagim në rrjetet sociale, duke njoftuar depozitimin në Kuvend të kërkesës për interpelancë, thekson se Prokuroria Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar duhet të nisë hetimet mbi rastin.

“Edi Rama pa asnjë transparencë ka emëruar si këshilltar të jashtëm Florian Coldea, ish- drejtor i Shërbimit Sekret Rumun. Ish-agjenti sekret rumun është nën hetim për korrupsion, si dhe është referuar si drejtuesi i një linje trafiku ndërkombëtar të kokainës, që transportohej nga Meksika në Shqipëri dhe më pas nga Shqipëria në Rumani”, shkruan Bardhi.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të kërkojë edhe zyrtarisht nga SPAK të hetojë rolin e Këshilltarit të Jashtëm të Edi Ramës në Shqipëri dhe sesi ka ndikuar marrëdhënia e tij me Edi Ramën për realizimin e veprimtarive të dyshuara kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Meksika në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Rumani”, përfundon Bardhi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›