Operacionet e vështira, jo më jashtë vendit
Një marrëveshje e nënshkruar mes palës shqiptare dhe italiane “detyron” mjekë dhe kirurgë italianë të vijnë dhe të kryejnë operacione e ndërhyrje të vështira kirurgjikale në spitalin e Tiranës. Lajmi u konfirmua dje nga drejtoria spitalore universitare “Nënë Tereza”. Konkretisht sipas marrëveshjes, stafi shqiptar i mjekëve dhe specialistëve do të kryejnë diagnostikimin dhe vlerësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve të vegjël, kryesisht me probleme në zemër, si dhe të pacientëve të cilët e kanë kryer operacionin, për të parë gjendjen shëndetësore. Ndërkohë që mjekët italianë, periodikisht do të vijnë në spitalin e Tiranës për të kryer ndërhyrjet e vështira. “Palët nënshkruese bien dakord të institucionalizojnë marrëdhëniet e tyre, të përshpejtojnë formalitetet, me qëllimin e realizimit të shërbimeve kardio-kirurgjikale tek fëmijët në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, si dhe veprimtarive të tjera të përcaktuara në nenet 2, 3 e në vijim të kësaj marrëveshjeje”, thuhet në dokumentin e nënshkruar mes palëve.
Javën e kaluar, mjekët shqiptarë, kardiokirurgu Arben Baboçi, Numila Kuneshka, Shqipe Saraçi, Anila Godo dhe ata italianë Vittorio Vanini së bashku me bashkëpunëtorët Italo Borini dhe Giuseppe Ghislandi kanë zhvilluar 13 operacione të vështira. Sipas mjekëve, ndërhyrjet e bëra kanë pasur të bënin me patologji të cilat nuk ndeshen shpesh. Konkretisht kanë qenë sëmundje të lindura të zemrës, të cilat kanë të bëjnë me keqformime të valvulave, enëve të gjakut. Mjekët italianë janë treguar të gatshëm për t’u kthyer sërish në Shqipëri, për të tjera ndërhyrje dhe ekzaminime të rëndësishme. “Ne do të rikthehemi përsëri, për të kryer të tjera ndërhyrje, por edhe për të parë gjendjen shëndetësore të pacientëve të operuar. është një bashkëpunim i cili shpresojmë që të zgjasë, për të ndihmuar fëmijët që lindin me probleme dhe keqformime të zemrës”, sqaroi Vittorio Vanini presidenti i shoqatës “The Heart of Children”, Onlus.
#