Zgjedhjet vënë në provë popullaritetin e Berluskonit
Këtë fundjavë, Kryeministri Berluskoni do të përballet me zgjedhjet rajonale. Sipas sondazheve të opinionit publik, popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm pas skandaleve të shumta me të cilat ai është përballur gjatë vitit të fundit, qoftë ato të natyrës personale, qoftë korruptive në lidhje me bizneset e veta. Rreth 40 milionë votues do të zgjedhin guvernatorët e 13 rajoneve, 11 prej të cilëve aktualisht drejtohen nga opozita e qendrës së majtë, e cila ka qenë disi e çorientuar që pas fitores së Berluskonit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2008. Deri pak javë më parëm Berluskoni dukej se do të korrte sërish një fitore masive edhe në këto zgjedhje, por një sërë skandalesh që janë shpërfaqur në lidhje me personin e tij dhe të partisë së tij, si dhe përjashtimi i partisë nga një zgjedhje e 29 marsit, i kanë dëmtuar dukshëm shanset e fitores. Njerëzit janë të ndikuar në këtë votë edhe nga shqetësimi në lidhje me situatën më të rëndë ekonomike me të cilën po përballet Italia që pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të recesionit të ekonomisë. Ky është testi i fundit i popullaritetit të Kryeministrit 73-vjeçar, mandati i të cilit skadon në vitin 2013. Edhe papunësia ka arritur shifra shumë shqetësuese në Itali. Përveç faktit se këto zgjedhje kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me pushtetin lokal, ato janë edhe një test për vetë popullaritetin e Berluskonit. Sipas një sondazhi të fundit të publikuar nga gazeta më e madhe e Italisë, “Corriere della Sera”, aprovimi për punën e qeverisë ka rënë në 39%, ndërsa 17% e votuesve kanë vendosur që të mos votojnë, për shkak të kaosit parazgjedhor.
#