Operacionet, shefat në një listë me kirurgët
Lufta më e fortë dhe “e ftohtë” mes bluzave të bardha njihet veçanërisht në kirurgji. Që mjekët e rinj ta prekin bisturinë me dorë, e sidomos për të qenë “faktor” në spitalet rajonale e në mënyrë të veçantë në ato universitare, duhet të kalojnë më parë “zborin”. Ata duhet të japin prova e ta tregojnë veten se janë të zotë për të qenë të përgjegjshëm dhe të suksesshëm, por deri në një pikë, derisa të mos jenë kërcënim për rivalitet e mbi të gjitha për konkurrencë. Duke u nisur nga ankesat, diskutimet e debatet zhvilluar me intensitet të lartë, sidomos vitet e fundit, si dhe për të bërë një ndarje të barabartë të punës, duke mos mbingarkuar kirurgët që kryejnë më shumë operacione se të tjerët, do të vendoset një rregull i ri. Afishim dhe transparencë të operacioneve që do të kryejë secili kirurg në spital. Procedura do të jetë e përjavshme, konkretisht çdo të shtunë. Por në urdhër nuk ka asgjë të sqaruar lidhur me penalizimet që do të merren në rast se nuk respektohet urdhri, apo penalizimet shkallë-shkallë sipas ecurisë në zbatim.
UrdhëresaNga dita e sotme e në vijim lista e operacioneve kirurgjikale të planifikuara më parë do të përgatitet dhe do të afishohet në mënyrë të dukshme për pacientët dhe familjarët e tyre.
Shpërndarja e operacioneve do të bëhet në mënyrë proporcionale, duke aktivizuar të gjithë kirurgët që shërbejnë në repartet e kirurgjisë e duke eliminuar në këtë mënyrë përqendrimin e panevojshëm dhe abuziv të operacioneve kirurgjikale në pak duar.
Kjo transparencë mundëson eliminimin e çdo lloj pakënaqësie apo përpjekjeje për veprime korruptive, duke bërë të qartë për këdo se kush do ta kryejë operacionin dhe kohën kur operacioni do të kryhet. Drejtorët e spitaleve dhe shefat e shërbimeve do ta ndjekin me rigorozitet zbatimin e përpiktë të këtij urdhri, si dhe do të trajtojnë me përparësi çdo ankesë të qytetarëve lidhur me shërbimin dhe ndërhyrjet kirurgjikale.
NdërhyrjetDeri tani, një iniciativë e tillë për afishimin e listës me grafikun e operacioneve në spital është e njohur në qendrën spitalore universitare, “Nënë Tereza”. Ish-drejtori i kësaj qendre, Mati Pepa, ka kërkuar nga shefat e shërbimeve dy vjet më parë që të afishohet dhe të bëhet transparente lista e operacioneve. Edhe ky ka qenë një urdhër nga drejtori i institucionit, por zbatimet apo moszbatimet e tij nuk kanë sjellë masa, penalizime apo ndryshime në ecurinë e mbarëvajtjen e punës në spital. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ky urdhër i cili ka nisur menjëherë nga zbatimi, do ta ulë shkallën e korrupsionit dhe thyen monopolin e ndërhyrjeve kirurgjikale, të cilat siç janë shpejtuar dhe nga strukturat rregullatore shëndetësore, deri tani janë kryer nga pak duar.
Ndërkaq, para se të afishohet lista e operacioneve, shefat e shërbimeve duhet të zgjidhin edhe çështjen e preferencave të pacientëve, të cilët shpesh herë kërkojnë të operohen nga kirurgët më të njohur në fushat dhe specifikat e tyre.
#