E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon Festivali i të Rinjve në qytetin bregdetar

Durrës “Maratona Rinore 2010” do të transmetohet edhe në platformën “DigitAlb”

“Maratona Rinore 2010” ka mbërritur në natën finale, duke i dhënë qytetit bregdetar shfaqjet në gjini të ndryshme të të rinjve nga Shqipëria e Kosova, si dhe nga trevat e tjera shqiptare në Ballkan dhe jo vetëm. Festivali i të rinjve është kthyer tashmë në një traditë dhe është ideuar që ta plotësojë më së miri kërkesat e brezit të ri për t’u aktivizuar në fusha të ndryshme të artit dhe evidentimit të talenteve të reja, duke i mbajtur larg rrugës dhe sjelljeve antisociale. “Gjatë edicioneve të kaluara, festivali ka treguar se sa të nevojshme e kanë të rinjtë të marrin pjesë në projekte të tilla. Një nga qëllimet e këtij festivali është edhe një pjesëmarrje e gjerë, duke e shndërruar Durrësin në kryeqytetin e rinisë. Krahas të rinjve nga Durrësi, Tirana, Shkodra, Korça e shumë qytete të tjera, në Durrës vijnë dhe të tjerë nga Prishtina, Ulqini, Budva, Shkupi dhe Sofja, duke realizuar kështu shkëmbime kulturash dhe eksperiencash rinore”, thotë një nga organizatorët, koreografi Arian Plaku. Në festival të rinjtë konkurrojnë në gjini të ndryshme, si këngë, kërcim modern, aerobi, etyd, skeç, pantomimë, interpretim dhe valle popullore. Krahas grupeve të ftuara në festival veçohet pjesëmarrja në festival e Ansamblit të të Rinjve “Zdravets” nga Bullgaria dhe orkestra për kitarë “Vihuela” nga Prishtina, të cilët do të performojnë drejtpërdrejt këngë qytetare shqiptare të përpunuara. Ndërkaq, të ftuar special janë trupa e kërcimit modern “Rebis” nga Shkupi i Maqedonisë dhe trupa profesioniste “Stefan Ljubisa” nga Budva e Malit të Zi. “Këtë vit festivali do të transmetohet në Shqipëri dhe në satelit, duke zgjeruar bindshëm numrin e telespektatorëve nëpërmjet paketës së mirënjohur ‘DigitAlb’”, përfundon Plaku.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›