E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Blu Xhins”, tre të pandehurit shkojnë në gjykatë

14/07/2009  Albert Daci, Dede Gjoni dhe Sinan Doko akuzohen për kontrabandë

TIRANE- Njësia hetimore Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Tiranës ka përfunduar procesin hetimor ndaj tre personave që akuzohen për veprën penale të “kontrabandimit të mallrave të tjera” si dhe “tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë”. Dosja penale me nr 1611 është regjistruar në gjykatën e Tiranës më 10 korrik, ku të pandehurit e të cilës janë shtetasit Albert Daci, Dede Gjoni dhe Sinan Doko. Të pandehurit janë arrestuar muajin e kaluar, ku pas një operacioni të koduar me emrin “Blu Xhins” policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme veshjes, të futura kontrabandë nga aeroporti i Rinasit. Në kërkesën për gjykim të Prokurorisë thuhet se të pandehurve ju sekuestruan 500 palë xhinse të llojeve të ndryshme, 500 copë bluza të llojeve të ndryshme, 400 copë fustane të llojeve të ndryshme, 60 copë kostume femrash të llojeve të ndryshme, 20 copë xhaketa të llojeve të ndryshme, si dhe 20 copë funde të llojeve të ndryshme. Lidhur me këtë aktivitet kriminal përfaqësuesit e organit të akuzës, fillimisht regjistruan procedim penal në gjendje të lirë për dy doganierë, të cilët dyshoheshin se kishin favorizuar tre të pandehurit që të kalonin mallin kontrabandë. Mirëpo për gati një muaj hetime prokurorët nuk kanë mundur të faktojnë pretendimet e tyre, duke vendosur që të pushojnë procedimin në ngarkim të punonjësve. Ndërkohë që mësohet se tre të pandehurit e procedimit penal nr. 1611, do të gjykohen nga gjyqtari Ilir Çeliku. Gjatë seancës gjyqësore ata do të përballen me dy akuza, të ngritura nga Prokuroria.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›