E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria e ushqimeve në treg, kontrolle në të gjithë vendin

14/07/2009  Strukturat e Ministrisë së Bujqësisë

Stina e verës sjell me vete shumë probleme sa i përket sigurisë së ushqimeve në treg. Për këtë arsye, Ministria e Bujqësisë ka shtuar kontrollet në tregje, por edhe në pikat e shitjes me shumicë dhe pakicë. Kontrollet do të shtrihen gjatë gjithë periudhës së verës me synim garantimin e sigurisë ushqimore për të gjithë konsumatorët, që përkon edhe me një nga objektivat e dikasterit të bujqësisë. “Siguria ushqimore është një nga prioritetet tona, pasi ajo është e lidhur drejtpërdrejtë me shëndetin e konsumatorëve”, - janë shprehur drejtues së departamentit të Sigurisë Ushqimore. Sipas tyre, një rëndësi e madhe po i kushtohet kontrollit të ushqimeve gjatë gjithë procesit zinxhir të prodhimit dhe tregtimit të tyre, rregullave specifike të kontrollit të produkteve ushqimore me origjinë shtazore, të monitorimit të produkteve të detit, vlerësimi i sistemeve të sigurisë për prodhimet e mishit. “Në të gjitha inspektimet që kemi bërë në 12 qarqe të vendit, nuk ka pasur raste të evidentuara të shkeljes së kritereve për cilësinë dhe sigurinë e ushqimeve, qofshin këto produkte të prodhuara në vend, apo të importuar nga jashtë”,- kanë theksuar burime të këtij departamenti. Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, gjatë këtij sezoni veror po zbaton një plan specifik në të gjithë vendin, duke intensifikuar kontrollet e inspektimit si në zonat me intensitet më të madh njerëzish, siç janë zonat turistike, ashtu edhe në pjesën tjetër të territorit. Paralelisht, po punohet për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerë të Komisionit Evropian, si Organizata Botërore e Epizootive (OIE), Drejtorinë e përgjithshme të Shëndetit Publik të Komisionit Evropian për zhvillimet mbi rritjen e sigurinë ushqimore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›