E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe-Maliqi shajnë dhe fyejnë njëri-tjetrin

14/07/2009  Kandidati i PS-së dhe ai i PD-së vijojnë konfliktet e vjetra

Konfrontimi fizik mes palëve është shmangur nga përfaqësuesit e partive

Rrëzimi i kërkesës ankimore të Partisë Socialiste nga KQZ-ja për Qarkun e Beratit ka acaruar situatën brenda ambienteve të komisionit. Në përfundim të mbledhjes, ku ishin të pranishëm kandidati i shpallur fitues i PS-së Erion Braçe për Qarkun e Beratit dhe kandidati “i rrezikuar” i PD-së Lefter Maliqi, janë konfrontuar mes tyre. Në shkëmbim e sipër duke dalë nga salla, dy kandidatët janë përplasur dhe kanë shkëmbyer fyerje dhe sharje të tipit “legen” apo “hajdut” mes njëri-tjetrit. Sikur të mos ndërhynin përfaqësuesit e secilës palë të pranishëm në vendngjarje, përplasja mund të kishte kaluar në fizike. Frika për një përplasje të dytë mes tyre është hasur edhe në oborrin e KQZ-së. Ndërhyrje te kandidati i vet bëri edhe përfaqësuesi i PD-së në KQZ-së Njazi Kosovrasti, i cili e ka porositur Maliqin të shmangë skena të tilla. Konflikti Braçe-Maliqi është i vjetër. Ai e ka zanafillën që në zgjedhjet e vitit 2005, kur kandidati i PD-së Maliqi në ato zgjedhje kandidonte për LSI-në, e cila kishte pak kohë që ishte krijuar si parti më vete. Deputeti i PS-së Erion Braçe në zgjedhjet e fundit parlamentare ka akuzuar konkurrentin e tij, Maliqin, se e ka penguar në zhvillimin e fushatës elektorale, duke e penguar të futet në zonën e vete, deri duke i shpuar edhe gomat e makinës. Nga ana tjetër, kandidati Maliqi në debatet e tij televizive si më 2005-n, ashtu edhe tani, ka akuzuar si përgjegjës kryesor për humbjen e PS-së, veçanërisht në zonën e Beratit, pikërisht Braçen. Inatet e vjetra mes dy kandidatëve pas përplasjes së djeshme tregojnë se ekzistojnë ende dhe më shumë se e shkuara, por më e rëndësishme do të jetë e ardhmja, që këta kandidatë do t’i vendosë në sallën e parlamentit, ku forca e kartonit është më e fortë se ajo e grushtit. Në Berat 4 mandate janë fituar nga PS-ja, 3 mandate janë fituar nga PD-ja dhe një mandat nga LSI-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›