E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni Skimmer 3 arrestohen tre persona

Nga Sektori Kundër Krimit Kompjuterik në Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe Njësinë e Përbashkët hetimore “Task Force” në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, ditën e sotme u finalizua operacioni policor “SKIMMER 3”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit:

1. Maliq Qemal Kaca, vjeç 29, banues në Tiranë, emigrant në Angli,
2. Bedri Fidan Muda, vjeç 36, banues në Tiranë
3. Rajmonda Qemal Muda (Kaca) vjeç 27, me detyrë punonjëse e policisë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë i mundur pas një hetimi intensiv 5 mujor të strukturave të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë. Këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga muaji Janar i vitit 2011, kanë falsifikuar dhe përdorur karta bankare me shirit magnetik, të cilat brenda tyre përmbajnë informacion bankar të kartave të tjera si VISA, MASTER etj. Këto karta dyshohet të jenë në pronësi të shtetasve të huaj britanikë apo amerikanë.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Maliq Kaca është emigrant në shtetin e Britanisë së Madhe dhe në periudhën e sipërcituar ka sjellë kartat plastike me shirt magnetik tek familjarët e tij Rajmonda Muda (Kaca) dhe Bedri Muda. Këta dy shtetas me anë të tyre kanë kryer blerje të ndryshme, ku përmes këtyre blerjeve këta shtetas kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma të konsiderueshme deri në 30.000 euro.

Në momentin e arrestimit, si dhe gjatë kontrollit të ambienteve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
30 (tridhjete) copë Karta plastike me shirit magnetik
Dollarë të dyshuar të falsifikuar të prerjes 100-she, 10 copë dhe 4 Telefona celular.

Pas kryerjes së veprimeve proceduriale, materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”, parashikuar nga neni 143/b/2 të Kodit Penal, si dhe ndaj tyre do vijojnë hetimet dhe për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›