Operacioni antidrogë, pesë në pranga
Dyshohet se nga janari kanë tentuar të trafikojnë 600 kg drogë të kapur nga policia me 13 të arrestuar
TIRANË- Një operacion antidroge i nisur që në fillim të këtij viti përfundoi dje me arrestimin e pesë personave, mes tyre dy vëllezër, të akuzuar për prodhimin dhe trafikimin lëndëve narkotike. Në lidhje me këtë hetim, janë arrestuar më parë edhe 13 persona të tjerë gjatë pesë operacioneve të ndryshme që nga janari, duke bllokuar në total 600 kg marijuanë.
Gjatë operacionit të koduar "Ëmbëlsira", u arrestuan Aldjon Pirra, 32 vjeç, banues në Tiranë, Petrit Topi, 33 vjeç, Brahim Topi, 40 vjeç, të dy vëllezër nga Lushnja dhe Afrim Muka, 38 vjeç, nga Tirana. Arrestimi i tyre u bë i ditur dje nga zëdhënësja e Policisë Laura Totraku, në një njoftim zyrtar. Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur për ta masën e sigurisë "arrest me burg", pas kërkesës së Prokurorisë.
Veç tyre Prokuroria ka lënë në arrest shtëpie Enekelejda Topin, 35 vjeçe, nga Lushnja, e cila gjithashtu dyshohet si e përfshirë në këtë rrjet trafiku. Sipas deklaratës së dhënë nga policia pesë të arrestuarit akuzohen për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike", e kryer në bashkëpunim.
Operacioni është zhvilluar të enjten në orët e para të mëngjesit, ndërkohë arrestimet janë kryer në kryeqytet dhe në qytetin e Lushnjes, prej nga janë edhe disa prej të arrestuarve. Nga burimet zyrtare të policisë mësohet se operacioni "Ëmbëlsira", ka marrë udhë në muajin janar të këtij viti, kur nisën kapjet e sasive të para të drogës.
Në total janë prangosur 13 persona, dyshuar si të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës, nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Në pesë raste të evidentuara nga policia, dyshohet se personat e arrestuar dje në mëngjes dhe bashkëpunëtoret e tyre, kanë tentuar të trafikojnë drogë nga Shqipëri drejt Greqisë. Operacionet e mëparshme janë zhvilluar në Kakavijë dhe në Lushnje.
Policia bëri me dije se gjatë këtyre gjashtë muajve të operacionit janë sekuestruar rreth 600 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar si kanabis sativa, e cila kishte si destinacion tokën greke. Hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria Kundër Narkotikë, ndërsa arrestimet u kryen nga Drejtoria e Forcës së Posaçme në Policinë e Shtetit.
Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte lëshuar më parë urdhër arrestet për pesë personat që dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike me destinacion vendet fqinje. Katër prej të arrestuarve do të hetohen në masën e sigurisë "arrest me burg", ndërsa një femër do të hetohet në "arrest shtëpie".
Të gjithë të arrestuarit janë marrë në pyetje nga oficerët e antidrogës në Policinë e Shtetit, të cilët kanë dëshmuar për akuzat e ngritura ndaj tyre. Hetimet do të vazhdojnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike.
Të arrestuarit e operacionit "Ëmbëlsira"
Aldjon Pirra, 32 vjeç, nga Tirana
Brahim Topi, 40 vjeç, nga Lushnja
Petrit Topi, 33 vjeç, nga Lushnja
Afrim Muka, 38 vjeç, nga Tirana
600 kilogramë hashash, janë bllokuar në gjashtë gjatë operacionit "Ëmbëlsira"