E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga dëshmitarit për deklarim të rremë

"BANDA e Durrësit"

"Shoferi" i të akuzuarve në dëshminë e pak javëve më parë kishte deklaruar se kishte dërguar me furgon në Shënavlash pjesëtarë të bandës


Dje dëshmitari Edmond Quka, për të njëjtën ngjarje ku u vra Dritan Disha nuk përmendi dy nga të akuzuarit


TIRANË- Efektivët e policisë së kryeqytetit, me urdhër të prokurorit Anton Martini, i vendosën prangat dëshmitarit Edmond Quka, i njohur edhe me pseudonimin "Çupe", për dëshmi të rreme gjatë procesit të bandës së Durrësit.


Arrestimi u krye në korridorin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, kur ai sapo doli nga salla ku po zhvillohej procesi gjyqësor ndaj 16 të pandehurve, të akuzuar si pjesëtarë të "bandës" së Durrësit.


Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa në ditët në vazhdim pritet që çështja t'i delegohet për hetim prokurorisë së kryeqytetit.


Rreth orës 14:00, dëshmitari i akuzës, Edmond Quka, la sallën ku zhvillohej seanca, ku u përball me tre efektivë të policisë, të cilët pas urdhrit të prokurorit i vendosën prangat dhe e shoqëruan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.


Shkak për arrestimin, sipas akuzës, u bë fakti se dëshmitari Quka nuk ka treguar të vërtetën e
ngjarjes së korrikut të vitit 2000. Në këtë kohë sipas akuzës, Quka ka transportuar me furgonin e tij kundrejt pagesës, disa nga të pandehurit që atë ditë kanë kryer ekzekutimin e Dritan Dishës në afërsi të mbikalimit në Shënavlash të Durrësit.


Sipas prokurorisë, Dëshmitari i Edmond Quka, gjatë hetimeve paraprake më 18 mars 2006, me vullnet të lirë ka treguar se Klodian Saliu e kishte prenotuar për ta transportuar nga Spitalla në Nishtullë dhe më pas në Shënavlash të Durrësit. Bashkë me Saliun, ai pati deklaruar se kishte qenë edhe Arian Saliu, Adriatik Coli, Indrit Dokle dhe Endrit Taullaj.


Sipas tij, ata më pas janë takuar me të pandehurin Bujar Gashi në shtëpinë e familjes së Mehmet Saliut (i cili ishte dy ditë para deklarimit) ndërsa me vete kishin një çantë. Dëshmitari i kishte dërguar personat në Shënavlash dhe më pas ishte larguar.


Aty, po atë natë është vrarë Dritan Disha. Këto fakte ishin deklaruar nga Quka në prokurori. Dje në gjykatë, dëshmitar i akuzës Edmond Quka, u shpreh se kishte transportuar në itinerarin e përmendur më lart, me kërkesë të Klodian Saliut, atë, Arian Saliun, dhe Adriatik Colin. Në dëshminë e tij në asnjë rast nuk u përmend se bashkë me ta kanë qenë edhe Indrit Taullaj dhe Endrit Dokle.


Quka mohoi para gjykatës, se të dielën e kaluar është kërcënuar nga persona të ndryshëm për të mos dëshmuar kundër të pandehurve të "Bandës së Durrësit". "Pasditen e së dielës, dëshmitari Edmond Quka më ka njoftuar në telefon dhe ka kërkuar ndihmë, pasi ndihej i kërcënuar për të mos dëshmuar.


Për këtë fakt janë njohur edhe oficerët e policisë të cilët kanë marrë kontakt me të,- tha prokurori i çështjes Anton Martini, duke i kërkuar dëshmitarit ta tregojë këtë para Gjykatë. Dëshmitari mohoi të jetë kërcënuar, por pranoi faktin se kishte telefonuar prokurorin e çështjes dhe një oficer të çështjes.


Më pas dëshmitari, tregoi itinerarin e ndjekur pasi ishte prenotuar nga Klodian Saliu, për t'i dërguar nga Spitalla në Nish Tullë dhe më pas në Shënavlash, duke i lënë ata aty dhe vetë ishte larguar pasi kishte marrë një mijë lekë të reja.


Më tej ai vijoi dëshminë:"Në mars 2006 më kontaktoi Arian Saliu, dhe më tha se është arrestuar Coli dhe duan t'i fusin në burg dy Indritat (Taullajnë dhe Doklen) dhe ti do të dëshmosh pro atyre e kundër Lul Berishës e Bujar Gashit se ata më kanë vra vëllanë,-theksoi Quka, duke iu referuar bisedës me Arian Saliun.


Pas dëshmisë së Qukës prokurori Martini, i kërkoi gjykatës administrimin e procesverbalit të seancës gjyqësore në proicesin ndaj Bujar Gashit, ku është pyetur dëshmitari Quka, e cila u pranua nga gjykata. Më pas u vendos shtyrja e seancës për thirrjen e dëshmitarëve të tjerë të akuzës.


Dëshmia e Oficerit
Pas një vrasjeje shoqëruam 50 persona, mes tyre Taullajn Doklen e Colin

Gjatë seancës së djeshme, dëshmuan me kërkesë të prokurorisë edhe dëshmitarët Denis Saliu, Dalan Cara dhe Dritan Bashysa. Saliu tregoi për vrasjen e Mehmet Saliut në fillim të muajt korrik 2000 në Nish Tullë të Durrësit, ku sipas tij, erdhi dhe qëlloi një djalë që u largua pa i dhënë mundësi të identifikimit të tij.


Më pas, dëshmoi Dalan Cara, oficer i Policisë Gjyqësore në Durrës në kohën kur kanë ndodhur ngjarjet për të cilat akuzohet "banda" e Durrësit. "Pas vrasjes së Erion Lames kemi shoqëruar si të dyshuar gati 50 persona, mes të cilëve Indrit Taullajn dhe Adriatik Colin, me familjet e tyre.


Taullaj dhe Coli u shoqëruan si kontingjent, ndaj dhe dyshoheshin, ndërsa Indrit Dokle u shoqërua e u lirua. Në fakt ishte një djalë i vogël dhe i imët dhe sa e pamë i thamë të shkonte me urgjencë në shtëpi se ishte ende i vogël.


U shoqërua edhe e dashura e Lames, e cila në atë kohë ishte nxënëse te gjuhët e huaja, si dhe nëna e saj. Pjesa më e madhe e të shoqëruarve ishin persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen, ndërsa Taullaj dhe Coli si të dyshuar për autorësinë krimit,- tha Cara.


Pa dëshmisë së tij, dhe Dritan Bashysës, që njihej për miqësinë e hershme me viktimën Eduard Ongari. Ai pohoi se Ongari është vrarë 3 javë apo një muaj pas ekzekutimit të Arian Pajës dhe Ilir Xhunga, të njohur si pjesëtarë të "bandës" së Durrësit.


Dëshmitari vijoi të shprehet gjatë se nuk kishte dijeni mbi autorët e vrasjes, ndonjë incident të mundshëm me anëtarët e "bandës" së Durrësit, apo dhe nëse njihte Marsel Sotirin. Ai mohoi se njihte Gaxhain (Gazmend Brrakën), nga Vlora i akuzuar për vrasjen e Xhungës dhe Pajës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›