E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtonin punësim në Interpol, kapen mashtruesit

Një burrë dhe një grua u ndaluan dje nga policia të dyshuar për mashtrim të më tepër se 100 personave


Të arrestuarit iu premtonin të dëmtuarve, punësim në një organizatë agjentësh në këmbim të parave


TIRANE- Dy persona që dyshohet se kanë.......................................... mashtronin rreth 100 vetë duke iu marrë para, se do t'i punësonin në Interpolin Ndërkombëtar për ndjekje të të kërkuarve, u arrestuan dje nga Sektori i Antikrimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit.


Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë një operaconi të kryer dje në mesditë në kryeqytet, ku u arrestuan Fatmir Fllaga, 55 vjeç, nga Tirana dhe Adriana Ura, 26 vjeçe, nga Shkodra banuese në Tiranë.


Sipas burimeve të policisë, për dy personat e arrestuar Gjykata e Tiranës, ka nxjerrë vendimet e arrestit me masat përkatëse të sigurisë, pas kërkesës së Prokurorisë për ta. Personat dyshohet se iu merrnin të dëmtuarve nga 100 deri 600 euro, në varësi të gradës dhe hierarkisë që ata vetë kërkonin të kishin në organizatën ku do të punonin.


Sipas burimeve të hetimit, dy personat, kishin ngritur një skemë mashtrimi, duke ngritur një organizatë fantazmë dhe i ofronin personave të ndryshëm sikur kishin mundësi për t'i punësuar në këtë institucion të quajtur Interpoli Ndërkombëtar, që kishte aktivitet në Itali dhe në Shqipëri.


Madje për të qenë sa më të besueshëm personat kishin marrë një zyrë me qera në zemër të Tiranës, pranë kullave binjake, e madje herë pas here aty hynte edhe ndonjë italian me të cilin komunikonte mirë italisht vetë Fllaga.


Madje ata kishin prodhuar edhe disa karta të llojeve të ndryshme me një format të caktuar, me emblemat përkatëse dhe elementë të tjerë që bënin të besueshëm ndërmarrjen e dy personave të ndaluar. Këta të fundit mësohet se e kishin nisur aktivitetin e tyre mashtrues në muajin dhjetor, kur mendohet se mund të ketë rënë në rrjetën e tyre viktima e parë.


Dy muaj më parë, një nga shumë të mashtruarit trokiti në dyert e policisë dhe denoncoi rastin e parë që provokoi hetimin.


Nga puna e saj, policia dokumentoi së paku 60 raste, ndërsa dyshohet se të mashtruarit mund të jenë më tepër se 100. Nga hetimi i kryer policia ka zbuluar se 25- vjeçarja Ura, juriste në profesion, si dhe ortaku i saj, Fllaga, shfrytëzonin njohjet familjare me të dëmtuarit si dhe gjendjen e tyre të vështirë ekonomike, duke iu premtuar punë.


Më pas ata i ofronin si mundësi edhe rritjen në gradë dhe përgjegjësi me qëllim që t'iu merrnin sa më shumë para për hierarki dhe gradë më te lartë të preferuar prej tyre.


Policia ka sekuestruar disa dokumente dhe karta identifikimi që përdornin të arrestuarit, të cilat pritet të dërgohen për ekspertim, si dhe për ekspertim krahasues për dokumente të tjera të ngjashme të sekustruara nga policia.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›