Operacioni i SPAK, Balla: T’i japim fund kulturës së pandëshkueshmërisë

TIRANË, 17 maj/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha sot, duke komentuar një operacion të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale Antikorrupsion (SPAK) për arrestimin e personave të përfshirë në aktivitete kriminale, se ka ardhur koha t’i jepet fund pandëshkueshmërisë.
Ministri Balla, i cili ndodhet në Madrid, Spanjë, ku dhe nënshkroi një memorandum bashkëpunimi tha se ky operacion është një përgjigje edhe për skeptikët, që kërkonin goditjen e “kokave” të krimit.
“Përgëzoj SPAK dhe prokurorët e posaçëm që kanë drejtuar hetimin. Falënderoj Policinë e Shtetit që është marrë me zbatimin dhe pjesën tjetër hetimore që lidhet me mbarëvajtjen e këtij operacioni”, tha Balla, duke iu përgjigjur medieve.
“Është një operacion i rëndësishëm që ndërlidhet edhe me personazhe të krimit në Shqipëri që zhvillojnë aktivitetin kriminal jo vetëm në Shqipëri, por bëhet fjalë për aktivitete kriminale të zhvilluara në disa vende evropianë përfshirë edhe Spanjën në fakt”, tha Balla.
“Uroj që operacione të tilla të vijojnë e të konsolidohen edhe më tej për t’i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë së elementëve të grupeve kriminale. Kështu i kthejmë një përgjigje atyre që shpesh pyesin ‘po kokat po kokat’. Besoj që ky është një prej atyre rasteve që përgjigja flet vetë”, tha Balla.
Në media është njoftuar se që prej orëve të para të mëngjesit po zhvillohet një operacion policor në bashkëpunim me agjentët e BKH, me urdhër të SPAK. Sipas medieve, operacioni ka në fokus ekzekutimin e 43 urdhërarresteve për persona të përfshirë në krimin e organizuar. Operacioni është i shpërndarë në disa zona të vendit: Lezhë, Fushë Krujë, Nikël, Kurbin, Durrës, Shijak dhe Tiranë.
Ndërkaq, Balla reagoi më pas edhe në rrjetet sociale duke theksuar se “lufta kundër krimit të organizuar falë bashkëpunimit me SPAK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, si dhe vetëpastrimi i Policisë së Shtetit nga punonjësit e Policisë të lidhur me ta, janë të pandalshme dhe po japin rezultate për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, krijimin e një trupe policore të denjë dhe me integritet si dhe për rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit”.
“Besimi i qytetarëve është elementi kyç që Policia të përmbushë misionin e saj”, u shpreh Balla.
/a.f/