Thyhet shtëpia e shefit të qarkullimit
Dy të mitur tentuan të vjedhin banesën e pabanuar të kryepolicit të rrugorëve, zbulohen autorët
TIRANE- Vidhet shtëpia e shefit të Qarkullimit të kryeqytetit, Artan Osmani, policia zbulon autorët të cilët sipas saj kanë qenë dy të mitur.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur mbrëmjen e të premtes rreth orës 13:00 të ditës së mërkurë, kur dy të miturit E. Maxhari, 15 vjeç dhe E. S, 8 vjeç, kanë hyrë në banesën që ishte ende e pabanuar nga familja e Shefit të Qarkullimit.
Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur kur dy të miturit Maxhari dhe E. S, nuk kanë gjetur njeri në banesë dhe më pas kanë nisur të kontrollojnë aty për të marrë ndonjë send me vlerë që mund t'iu duhej, pikërisht në banesën që rezultonte të ishte në emër të Xhemal Osmanit, babait të Shefit të Policisë Rrugore të Tiranës Artan Osmanit.
Ndërkaq burimet e policisë pohojnë se të miturit në banesë nuk kanë mundur të marrin ndonjë send me vlerë për ta, duke qenë se shtëpia e prindërve të shefit të Qarkullimit të Tiranës, ishte e pabanuar. Në shtëpinë që ishte projektuar për dy kate dhe që kishte përfunduar vetëm në katin e parë, familja e Osmanit kishte futur pjesërisht orendi dhe sende të vogla.
Pasi kanë hyrë në banesë dhe kanë kontrolluar në të gjithë shtëpinë, fëmijët kanë vendosur të largohen kur kanë vënë re se nuk kishte para, apo sende të tjera me vlerë që mund t'iu duheshin atyre.
Pas këtij veprimi fëmijët janë larguar në drejtim të banesave të tyre të cilat nuk ishin shumë larg asaj të kryepolicit të rrugorëve të kryeqytetit. Fëmijët janë munduar që të regullojnë disa sende me qëllim që të mos vihej re ndërhyrja.
Veprimi i fëmijëve është vënë re nga disa persona si dhe më pas nga të afërmit e familjes së Artan Osmanit, të cilët kishin mbërritur në banesë për të kryer disa punime. Sapo kanë hyrë brenda ata kanë vënë re rrëmujën që ishte shkaktuar si dhe disa thyerje.
Pjesëtarët e familjes së Osmanit, kanë lajmëruar policinë e komisariatit nr.3 në kryeqytet. Këta të fundit menjëherë kanë mbërritur në banesën e njoftuar dhe kanë nisur veprimet e tyre hetimore për të zbuluar autorin.
Nga dëshmitë e marra, gjurmët e gishtërinjve në vendin e ngjarjes dhe pyetje të personave të ndryshëm, policia ka identifikuar autorësinë e krimit. Sipas policisë, për këtë ngjarje ishin përgjegjës dy pesona, 15 vjeçari E. Maxhari dhe bashkëpunëtori i tij, E. S, 8 vjeç.
Duke qenë se autorët nuk kishin mundur të merrin asgjë në banesën ku kishin hyrë si dhe gjendja e mosha e mitur ka bërë që policia të mos i arrestojë ata, por të dërgojë materialet në prokurori në gjendje të lirë për 15- vjeçarin Maxhari.