E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni në këmbë, Berisha: Për të ecur më shumë

Kryeministri i kundërpërgjigjet Ramës: Vure dhëmbët 40 vjet para kohe, bëre trasplant për të mbirë flokët dhe hoqe xhufkat në sy

Me lëvizjen e zakonshme dhe krejtësisht i qetë, Kryeministri Sali Berisha hyri dje në sallën e mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së në katin e katërt të selisë së Kuvendit të Shqipërisë. Nëse nuk do të tregonte vetë, askush prej deputetëve apo syve kureshtarë të gazetarëve nuk do të mund të dallonte qoftë edhe shenjën më të vogël se z. Berisha para dy ditësh i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ecja më këmbë për ngjitjet drejt lartësive janë një pasion i hershëm i Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, dhe për të mos i lënë që ti dobësohen ecjet e tij, është kujdesur edhe për një shqetësim të vogël në shputën e këmbës së djathtë. Përmes një operacioni, Berisha ka tentuar veçse forcimin e të ecurit, madje duke e kthyer në humor: Më vështirësonte pak në ecjet e mia hardjoking, të zakonshme... Berisha informoi dje deputetët e tij për operacionin në këmbë, të cilin e quajti pa probleme, por ai akuzoi kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, për një fushatë dezinformimi të medias lidhur me ndërhyrjen kirurgjikale që zhvilloi të premten e javës së shkuar. Duke sqaruar se bëhej fjalë për një operacion në këmbën e djathtë, Kryeministri Berisha tha se kryetari i PS-së, Edi Rama, përpiqet të ndërtojë suksesin e tij mbi sëmundjet apo fatkeqësitë e të tjerëve, duke u servirur gazetarëve informacion të rremë. Një njeri që e ndërton suksesin vetëm mbi krizën, sëmundjen, fatkeqësinë, imagjinoni ju se çmund të bëjë. Dje (të dielën) gjithë ditën është marrë me një histori të tillë. Tani unë dua ti them se çështë e vërteta, ditën e premte, në ora 20:15 iu nënshtrova një ndërhyrjeje të planifikuar kirurgjikale për një problem të vogël në shpinën e këmbës, i cili më vështirësonte pak në ecjet e mia hardjoking, të zakonshme, por që ecja është pasioni im, - deklaroi z. Berisha. Ai njoftoi më tej grupin parlamentar të PD-së se pas një operacioni që ka zgjatur rreth 1 orë e 15 minuta, me një anestezi të përgjithshme, pasi këmba dhe dora kanë shumë mbaresa nervore, ka shkuar në shtëpi, pa asnjë lloj ndërlikimi. Berisha bëri të qartë se gjatë dy ditëve më pas, të shtunën dhe të dielën, ka përmbushur të gjitha detyrimet si Kryeministër, por duke specifikuar, përveç ecjes së zgjatur si në çdo fundjavë tjetër, ka punuar dhe lexuar pa ndërprerë. Kjo, - tha Berisha, - është e vërteta, por duke i bërë të qartë Ramës se operacionet janë për njerëzit dhe njeriu kur ka nevojë, do të operohet në këmbë, në dorë, në kokë, në zemër, në bark. Nuk mund të mos them se janë disa operacione të cilat kanë një domethënie tjetër, kur detyrohesh ti bësh ato 30 apo 40 vjet para kohe, flasin vetë. Se shkon të transplantosh flokët, rri edhe dy javë në klinikë dhe nuk të mbin një qime dhe kjo jo për faj të rasatit, por për faj të arës; apo kur shkon për të hequr xhufkat në qepalla dhe të bien sytë më keq; apo kur shkon për të ngulur dhëmbë të rinj dhe nuk të mbajnë, - u shpreh z. Berisha. Më tej ai iu referua një personazhi rreth 40-50-vjeçar të shkrimtarit Dritëro Agolli, që shkonte për tu fejuar dhe i thoshte e ëma: Merr një shami pionieri që të dukesh më i ri te nusja! Pra, - sqaroi Kryeministri, - këto lloj operacionesh, për të mos hyrë te disa të tjera, se nuk dua ta përdor mjekësinë për politikë, edhe mund të bëhen, edhe mund të mos bëhen. Kurse ato që janë në funksion të një aktiviteti që ti e ke pasion, siç është ecja apo kur bëhen për të shëruar një sëmundje, ato janë normale. Ndaj edhe unë dua ti them mos i helmo me ato mesazhe celularët e gazetarëve, sepse siç e vutë re, vetëm njëri e kishte besuar, se ka besim të verbër - nuk kam çti bëj - ku thoshte se edhe kamerat nuk e marrin, se ka bërë një operacion në fytyrë. Po si nuk marrkan kamerat? Kamerat marrin edhe flokë që nuk mbijnë, edhe dhëmbë që vihen 40 vjet para kohe etj., etj., me radhë, - deklaroi kreu i qeverisë, Sali Berisha. Ai falënderoi mediat që, sipas tij, nuk u tunduan të transmetonin mashtrimet që u përhapën rreth një ndërhyrjeje që Berisha e bëri në këmbën e djathtë. Dua të falënderoj mediat me shumë respekt, të cilat ishin subjekt i një agresioni të paparë mesazhesh dhe trillimesh të një njeriu, i cili është i njohur se vuan tmerrësisht nga mesazhomania, lidhur me operacionin tim. Disa prej atyre mesazheve i kam unë këtu, se mi kanë nisur gazetarët, - u shpreh z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›