E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë Ministra ndjekin Autorët

Në shumicën e ministrive të Qeverisë së Kosovës të hënën nuk është biseduar për diçka tjetër, përveç për riformatizimin.

Kjo çështje i ka detyruar ata që mos të planifikojnë agjendë të gjatë në punët e tyre të përditshme, ndërkaq telefonat e tyre nuk kanë pushuar tërë ditën.

Njëri nga ministrat tha në kushte anonime të hënën për Express se nuk ka planifikuar asgjë të punojë këtë javë, pasi nuk e di nëse do të vazhdojë me drejtimin e ministrisë ku është aktualisht, do ta ndërrojë vendin e punës, apo do të largohet nga Qeveria.

“Neve na kanë lënë të bëhen barsoleta me ne, duke mos na thënë asgjë, duke na lënë nën presion të medieve. Nuk po e kuptoj kujt po i konvenon që emri ynë të lakohet për çdo ditë nëpër variante të ndryshme. Kjo po na dëmton. Askush në Qeveri madje as nuk po i mohon shkrimet e medieve, ndërkohë që neve na e kanë ndaluar të flasim për veten”, ka thënë ky ministër.

Shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi, edhe përkundër prezantimit në media të emrave të ministrave që mund të largohen dhe atyre që mund të vijnë, nuk ka pranuar të qartësojë situatën.
Mirëpo, Kryeministri Thaçi nuk ka mohuar listën me emra të ministrave të rinj dhe as të atyre që mund të largohen.

Thaçi ka përsëritur të hënën deklaratën e tij të javës së kaluar, se do të ketë afirmim të qeverisjes me personalitete kredibile dhe me energji të reja.

“Unë nuk do t’i shtoja më tepër asaj çka kam deklaruar edhe më herët. Afirmimi i qeverisjes së mirë do të vazhdojë me personalitete kredibile dhe energji të reja, duke e vlerësuar lart punën e secilit ministër në angazhimet që ka pasur në suksesin historik që kemi arritur si Republikë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai nuk ka sqaruar se për kënd flet kur përmend autoritete kredibile dhe energji të reja, por ka thënë se do të vazhdohet me ato vlera që janë afirmuar çdo ditë, ndërkaq sukseset e Kosovës, të arriturat në dy vjet e gjysmë të pavarësisë, ia ka atribuuar gjithë kabinetit qeveritar.

“E para, vlerat janë duke u afirmuar çdo ditë. Sot Kosova është shtet po nga ky formacion qeveritar institucional. Kemi të bëjmë me ndryshime rrënjësore në të gjitha sferat e jetës, ndryshime shumë pozitive”, ka theksuar Thaçi.
I pyetur nëse është në kontakt me presidentin Fatmir Sejdiu, njëherësh kryetar i LDK’së, për të biseduar për çështjen e riformatizimit, Thaçi ka thënë se me Presidentin ka takime të rregullta çdo të hënë, pa sqaruar më shumë.
Nuk është vetëm Kryeministri Thaçi ai që nuk jep detaje për riformatizimin.

Edhe partnerët e tij në koalicion, përfaqësuesit e LDK’së, i kanë mbajtur të hënën telefonat e tyre “silent” duke mos dashur të flasin për ndryshimet.
Presidenti Fatmir Sejdiu, duke u thirrur në Kushtetutën e Kosovës ka folur shumë ftohtë për çështjen e riformatizimit.

Pak orë pasi e takoi Kryeministrin Thaçi, presidenti Sejdiu deklaroi se nuk dëshiron të përzihet në çështjet e koalicionit qeverisës dhe mundësinë e riformatizimit.
Ai ka përsëritur fjalinë e tij të zakonshme për këtë temë, duke thënë se “kjo është çështje e partnerëve të koalicionit”.

“Nëse do të bjerë çështja e kompetencave që lidhet me rolin që duhet të ketë presidenti, ajo është gjithmonë e qartë. Por në këtë fazë, është çështje e partnerëve të koalicionit. Unë jam i gatshëm, atë që e arrijnë partnerët e koalicionit dhe kryeministri i Republikës, e bën në bazë të Kushtetutës, informon Kuvendin për ndryshimet eventuale dhe është çështje e tyre”, ka thënë Sejdiu.

Kreu i Republikës ka thënë se mendimet e tij janë vetëm mbështetje për institucionet e vendit dhe angazhime që të ketë një stabilitet qeverisës dhe qeverisje sa më të mirë.

Të hutuar

Emrat e ministrave të rinj, që i ka publikuar të dielën mbrëma TV Klan Kosova, e që vijnë nga radhët e PDK’së, kanë qenë shumë të kujdesshëm të hënën, duke thënë se ata do të veprojnë siç do të vendosë Kryeministri.
“Unë jam në kontakt me Kryeministrin për formatizimin, por diçka zyrtare për mua ende nuk ka. Unë kam kërkuar për Ministrinë e Integrimeve, por kjo është e drejtë e Kryeministrit çka të udhëheqë. Nuk është Forca e Sigurisë diçka e huaj për mua. Por deri tash nuk kam asgjë zyrtare dhe nuk mund të flas më shumë për këtë temë. Tani kjo temë është në diskutime mes partnerëve të koalicionit, pastaj zyrtarizohen gjërat”, ka thënë për Express, Bajram Rexhepi, emri i të cilit është përmendur për ministër të Forcës së Sigurisë.

Ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami, për të cilin thuhet se do të bëhet ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë për gazetën se për momentin nuk dëshiron të komentojë për këtë çështje.
“Tash për tash nuk kam kurrfarë komenti. Në momentin e caktuar, kur do të kem konfirmim zyrtar, atëherë mund të flas për këtë”, tha Bajrami.

Edita Tahiri, emri i së cilës është përmendur për ministre të Administratës Publike, duke folur për mundësinë e përfshirjes së saj në kabinetin e riformatuar qeveritar, ka lënë të kuptohet se jozyrtarisht ka biseda për këtë temë.
“Për sot mund t’ju jap një deklaratë shumë të shkurtër se ende asgjë nuk është zyrtare”, ka thënë shumë shkurt ajo duke shtuar se nga “kjo përgjigje mund të zgjerohet vetë përgjigjja”.

Përderisa emrat e zyrtarëve të PDK’së të përfolur nga TV Klan Kosova lënë të kuptohet se pranojnë të pozicionohen sipas vendimit të shefit të tyre, të përfolurit e LDK’së shprehen më ndryshe.

Lutfi Haziri, pasardhës i mundshëm i ministrit të Kulturës, Valton Beqiri, nuk e ka mohuar as pohuar mundësinë e përfshirjes së tij në kabinetin e riformatuar të Qeverisë.

“Asnjë proces nuk e kam lidhur me emra, por njëherë duhet me folë për procesin e pastaj për emra”, ka thënë Haziri, të hënën, për Express.

Sipas tij, në LDK ende nuk është diskutuar për emrat e mundshëm për t’u larguar nga kabineti qeveritar.

“Nuk mund të them diçka tash. Nuk është çështje e imja, është e LDK’së. Kur të kërkohet prej LDK’së, atëherë e jap mendimin tim”, ka thënë ai.
“Emrat janë të mediave, e jo të LDK’së”, ka shtuar ai.

Bujar Bukoshi, i përmendur për ministër të ri të Shëndetësisë, ka deklaruar se nuk ka marrë ofertë konkrete.
“Unë s’kam kurrfarë oferte konkrete dhe asgjë zyrtare. Të shohim në ditët e ardhshme.

Me hipoteza nuk punoj. Në atë moment që na ofrohet diçka e tillë, ju do ta keni përgjigjen”, ka thënë Bukoshi.

Presin vendimin

Ministrat e kabinetit qeveritar, emrat e të cilëve janë përmendur për t’u larguar me proces të riformatizimit, të kontaktuar nga Expressi, shumica e tyre nuk kanë dashur komentojnë mundësinë e zëvendësimit të tyre.
“Jam deklaruar një herë për këtë dhe nuk dua të komentoj më”, ka thënë Ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti.

Para një jave, Pajaziti ka thënë se asgjë zyrtare nuk ka për largimin e tij nga Qeveria.
Njësoj është përgjigjur edhe Ministri i Bujqësisë, Idriz Vehapi.

“Ashtu siç kam thënë para një jave, është çështje e Kryeministrit dhe derisa të kem diçka zyrtare, unë do të jem ministër. Deri më tani, asgjë zyrtare nuk kam”, ka thënë Vehapi.
Ndryshe, Ministrja Nekibe Kelmendi, e cila kohë më parë ka thënë se informacionet që kanë dalë për largimin e saj nuk janë të sakta, të hënën nuk ka dashur të flasë për këtë çështje.

“Nuk mund të flasë përmes telefonit asgjë. Duhet të njoftoni Zyrën për Informim dhe pastaj të caktojmë një termin kur unë mund t’ju përgjigjem”, ka thënë ajo.
Por, Ministri i Kulturës, Valton Beqiri ka thënë se nëse shefat e tij vendosin për t’u larguar nga Ekzekutivi, ai do të ta pranonte verdiktin e tyre.

“Po vazhdoj punën time si ministër, ndërsa sa i përket çështjes së rikonfigurimit të Qeverisë, është çështje e partnerëve të koalicionit”, tha Beqiri.

“Natyrisht nëse shihet e arsyeshme, unë e pranoj me përgjegjësinë më të madhe. Por unë do ta vazhdoj punë si ministër, derisa të kem një informatë zyrtare”, tha ai.

Fehmi Mujota dhe Alush Gashi nuk e kanë hapur fare telefonin.

Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë, para një jave ka thënë se nuk dëshiron të komentojë mundësinë e largimit të tij, derisa këtë çështje ia ka lënë në dorë Presidentit dhe Kryeministrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›