E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe pak mision

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, ka deklaruar të hënën në Prishtinë se reduktimi i numrit të pjesëtarëve të KFOR’it duhet të bëhet në koordinim mes shteteve anëtare që kontribuojnë në këtë forcë të udhëhequr nga NATO’ja.

Ai kërkon që shkurtimi i forcave paqeruajtëse të mos bëhet veç e veç nga shtetet përkatëse.

”Reduktimi i trupave të KFOR’it duhet të matet në bazë të sukseseve të arritura deri më tani dhe reduktimi i trupave të KFOR-it nuk duhet të bëhet në mënyrë veç e veç nga shtetet që janë prezentë këtu”, ka thënë Guttenberg, pas takimeve me krerë të institucioneve të Kosovës.

Zyrtari gjerman tha se Misioni i NATO’s në Kosovë gati ka përfunduar dhe se tani kanë mbetur “vetëm 100 metra deri në fund”.

NATO’ja ka ndërmarrë disa reduktime deri më tash, gjithmonë duke u mbështetur në përmirësimin e situatës së sigurisë në vend dhe ngritjen e kapaciteteve vendore.

Guttenberg ka komentuar edhe rreth procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila pas disa muajsh duhet të deklarohet për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.

“Sa i përket qëndrimit të Gjermanisë dhe pritjeve të mia rreth vendimit të GJND’së, duhet të theksoj se duhet të presim që së pari ky vendim të merret, sepse ne nuk mund të themi paraprakisht se çfarë vendimi do të jetë. Nuk mund të supozojmë, por duhet të shpresojmë për më të mirën”, ka theksuar ai.

Ndryshe, ai ka përsëritur pozicionin e Berlinit zyrtar rreth statusit të Kosovës.

“Qëndrimi i Gjermanisë lidhur me statusin e Kosovës është i qartë. Ky qëndrim është artikuluar në të kaluarën dhe ky qëndrim vlen akoma”.
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë falënderuar Qeverinë gjermane për ndihmën e dhënë Kosovës për shumë vite me radhë.
Presidenti Sejdiu ka falënderuar Gjermaninë për angazhimin e vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës për dekada me radhë, veçanërisht për mbështetjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në zhvillimin e demokracisë dhe ekonomisë.

Ai ka theksuar mbështetjen e Gjermanisë për ngritjen dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të KFOR-it apo NATO-s dhe për politikat e saj për proceset e rëndësishme të integrimeve të Kosovës.

“Falënderoj Gjermaninë dhe përmes ministrit shpreh konsideratat më të larta po ashtu për KFOR-in gjerman si një nga kontingjentet më të mëdha në Kosovë që ka qenë dhe mbetet i shkëlqyeshëm në rolin e vet të veçantë. Dhe për proceset e tjera që kemi para vetes, po them gjithmonë në një shenjë të respektit reciprok duke pasur parasysh të gjitha ato investime të mëdha dhe të gjithmonshme që Gjermania ka dhënë për Kosovën”, ka thënë Sejdiu.
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova do ta ketë edhe në të ardhmen përkrahjen gjermane, siç e ka pasur deri më në fushën e demokratizimit, ndërtimit të shoqërisë multietnike dhe posaçërisht për ngritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Natyrisht se FSK-së i mbetet ende për të bërë që të arrijë standardet e duhura”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›