Operacioni policor “Përsëritësi”, arrestohet 46-vjeçari në Tiranë

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se është finalizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Përsëritësi”.
Sipas njoftimit të Policisë, një 46-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi ka vjedhur në një automjet të parkuar një çantë brenda së cilës kishte shuma të mëdha parash në euro, dollarë e lekë, ndërsa i arrestuari është dënuar disa herë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se janë sekuestruar rreth 45 milionë lekë (një pjesë në euro dhe dollarë), që ky shtetas kishte vjedhur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në automjetin e shtetases B.L, i parkuar në zonën e Medresesë, kishin vjedhur çantën brenda së cilës kishte një shumë të konsiderueshme parash (rreth 47 milionë lekë, një pjesë në euro dhe dollarë), kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi”, bazuar në inteligjencën policore dhe veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit Guran Trajani (Mitro) 46 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë disa herë për vjedhje.
“Gjatë kontrollit të banesës së 46-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur e sekuestruar shumën e parave që ky shtetas kishte vjedhur në automjetin e parkuar”, thuhet në njoftim.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/r.e/