Opozita, 6 arsyet e rikthimit në Kuvend
Skadimi i afatit kushtetues për rikthimin e deputetëve të opozitës duket se ka rritur edhe arsyet që deputetët e majtë të zënë vendet e tyre në Kuvend. Sipas afateve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit si dhe në Kushtetutë, data 7 mars është afati i fundit që opozita ka kohë të reflektojë për t’u kthyer në Kuvend. Në fakt, ka mbetur vetëm 1 muaj e gjysmë afat, pasi Kuvendi nis punën në datën 18 janar dhe deri në datën 7 mars, ka vetëm 7 seanca plenare të programuara. Një prej këtyre seancave mund të jetë dita që deputetët e opozitës të bëjnë betimin, në të kundërt, ata do të humbasin mandatet dhe do të zëvendësohen me të tjerë nga lista e PS-së.
Afrimi i fundit të afatit kushtetues duket se ka shtuar arsyet që deputetët e opozitës të thyejnë bojkotin. Që prej fillimeve të bojkotit, deputetët ndien nevojat e mandatit të tyre si pagat apo pasaportat diplomatike. Ata filluan të ankohen tek kryetarja e Kuvendit, por që në fakt, sipas Rregullores së Kuvendit, ata nuk janë ende deputetë pa bërë betimin në seancën plenare.
Nga ana tjetër, deputetët e “Mendimit Ndryshe” kanë bërë publike se ata do të hyjnë në Kuvend dhe se nuk e djegin mandatin e fituar në zgjedhjet e 28 qershorit. Sipas tyre, më shumë se gjysma e deputetëve të zgjedhur të PS-së janë të gatshëm për të hyrë në Kuvend, por për momentin po i nënshtrohen vendimit politik të kryetarit Edi Rama.
Një tjetër ide që po qarkullon, është edhe rikthimi i opozitës brenda muajit janar në Kuvend, nisur nga situata e fundit e përmbytjeve në veri në vendit. Mungesa e debatit politik dhe kostoja që po i shkakton bojkoti opozitës, duket se mund të zgjidhet me hyrjen në Kuvend në këto momente, kur vendi ka nevojë për kartonat e tyre. Proceset e integrimit janë një tjetër faktor që po ndikojnë pozitivisht që deputetët e majtë të hyjnë në Kuvend. Janë disa ligje me rëndësi që presin kartonin e opozitës, reforma të përbashkëta si dhe takime me zyrtarët më të lartë të BE-së, të cilët presin të vizitojnë Shqipërinë.