E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, rishikim vendimeve dhe shkrirje AKKP-ve lokale

Brenda muajit janar pritet të hyjë në fuqi ligji i ri për disa ndryshime në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave, i cili përmban disa ndryshime në reformën e pronësisë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pret hyrjen në fuqi të ligjit për të respektuar afatet e tij. Kështu, kjo nismë ligjore parashikon disa etapa, si që nga shkrirja e AKKP-ve lokale si dhe transferimin e arkivës së dosjeve të pronave brenda 60 ditëve, pasi ligji ka hyrë në fuqi. AKKP-ja do të shqyrtojë edhe ankesat e prapambetura, por edhe 8 mijë dosjet që kanë mbetur ende pa marrë një përgjigje. Afati 3 muaj nis në momentin që AKKP-ja nis shqyrtimin e një dosjeje dhe pas këtij shqyrtimi merret një vendim për të. Më pas, subjekti ka të drejtë që brenda 1 muaji të shkojë në gjykatë dhe të ankimojë vendimin e AKKP-së nëse nuk bie dakord.
Rishikimi i vendimeve të pronësisë
Ligji për disa ndryshime në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave parashikon që vendimet e dhëna në vit mund të rishikohen nga AKKP-ja dhe të ndryshohen ato nëse janë dhënë abuzivisht. Nga ana tjetër, të prekurit mund të ankohen në gjykatë. Ligji i ka dhënë të drejtën AKKP-së që të shqyrtojë vendimet e dhëna në vite nga zyrat rajonale, ish-komisionet vendore etj. Vetë projektligji përcakton se një gjë e tillë është vendosur për shkak të abuzimeve që janë bërë me pronësinë. Sipas projektligjit, një rivendim i AKKP-së e bën të pavlefshëm vendimin e dhënë për një tokë të caktuar nga ish-komisionet vendore të kthimit dhe kompensimit apo zyrave rajonale. Projektligji thotë se pas një indiceje që mund të ketë drejtori i përgjithshëm i AKKP-së, nis procedimin e verifikimit të ligjshmërisë së titullit të pronësisë. Pas verifikimit, AKKP-ja merr një vendim për lënin në fuqi të vendimit të mëparshëm që mund të jetë dhënë vite më parë ose e shfuqizon atë. Edhe në këtë rast, subjekti i prekur ka vetëm 1 muaj afat për dërgimin e vendimit në gjykatë.
Dhënia e vendimeve për aplikimet
AKKP do të nisë nga puna për dhënien e vendimeve për më se 8 mijë dosjet që kanë mbetur pezull, të cilat presin një vendim për njohje. Sipas këtij ligji, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit do të japë një përgjigje, pozitive ose negative, për një dosje prone brenda 3 muajve në momentin që ajo niset të shqyrtohet. Në rast se subjekti nuk është i kënaqur me vendimin e AKKP-së, atëherë ai ka 30 ditë afat për të shkuar në gjykatë dhe të ankimojë këtë vendim. I gjithë ky proces nuk do të shkojë më larg se 31 dhjetori i vitit 2011, si afat i fundit ligjor për të dhënë të gjitha vendimet për pronësinë në këtë vend.
Arkiva dhe shkrirja e AKKP-ve rajonale
Ligji parashikon një afat prej 60 ditësh që të gjitha dosjet nga agjencitë rajonale, që kapin shifrën e 70 mijë, të transferohen në Tiranë. Në këtë mënyrë, AKKP-ja do të vijojë dhënien e vendimeve për dosjet e ish-pronarëve që kërkojnë vendime për njohjen e vendimeve të tyre. Projektligji përcakton që edhe zyrat rajonale të AKKP-së të shkrihen. Praktikisht, AKKP-të rajonale do të shkrihen me transferimin e arkivës së tyre drejt Tiranës. Më pas AKKP-ja qendrore, e cila do të zgjerojë stafet, do të jetë organi i vetëm për të dhënë vendimet, apo për ti rishikuar ato.
Ligji për kompensimin financiar
Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend ndryshimet ligjore, sipas të cilave, fondet për kompensimin financiar do të menaxhohen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke bërë që asnjë fond të mos digjet. Fondet për kompensimin financiar do të qëndrojnë gjithnjë në llogari të AKKP-së për t’u përdorur në çdo kohë për kompensim financiar. Gjatë këtij viti, krahas fondeve të parashikuara në buxhetin e shtetit për kompensimin e ish-pronarëve, do të vijnë edhe fondet nga privatizimet strategjike, nga Agjencia e Legalizimeve si dhe nga forma të tjera të parashikuara. Në këtë mënyrë, ish-pronarët do të kenë në dispozicion fondin më të madh që kanë pasur për këtë vit. Krahas kompensimit financiar, pritet që gjatë vitit 2010 të fillojë edhe kompensimi fizik, por edhe kthimi fizik i pronës në të gjitha rastet e mundshme. Deri tani është krijuar një fond modest për kompensimin fizik për ish-pronarët, si rreth 200 objekte, pyje si dhe kullota.
Regjistrimi dixhital i pronës
Programi i qeverisë pritet të mbyllë fillimisht një problem të hasur në vite, regjistrimin e pronës. Përfundimisht, pronat do të jenë të gjitha të regjistruara në regjistra elektronikë dhe mbi 4 milionë prona të paluajtshme të shqiptarëve do të regjistrohen në formë dixhitale. Ky projekt ka nisur tashmë dhe brenda vitit 2011, siç e premtoi edhe Kryeministri Sali Berisha, s’do të ketë më letër në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Një tjetër projekt është edhe dixhitalizimi i arkivës dhe dokumentacionit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave dhe kjo do të bëhet brenda vitit 2010. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka qindra-mijëra dosje, të cilat tashmë do të kalojnë në arkiva elektronike. Një tjetër detaj i kësaj reforme është dhënia me koncesion e shërbimit të hipotekës. Brenda vitit 2011, Berisha premtoi se një kompani serioze do të marrë me garë të hapur shërbimin e Zyrave të Regjistrimit. Pra çdo shërbim nga kjo zyrë do të jetë nga një kompani private, e cila do të menaxhojë të gjithë regjistrin e pronave dhe kjo do të thotë më shumë shërbime dhe lehtësi për qytetarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›