Opozita: Ina Rama qëndro larg Berishës dhe Topit
Deputetët e opozitës kanë këshilluar gjatë seancës së djeshme, Prokuroren e Përgjithshme, Ina Ramën të qëndrojë larg bashkëpunimit për çështje konkrete, si me kryeministrin Berisha, ashtu dhe me presidentin Topi. Kryeprokurorja ka lexuar dje në seancë parlamentare raportin mbi gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit 2006-2007. Gjatë fjalës së saj ajo ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për të rritur fondet për Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe të garantohet mbrojtja e prokurorëve nga shteti. Ndërsa deputetët e pakët që ishin në sallë kanë vlerësuar pozitiv raportin e kryeprokurores. Opozitarët kanë vënë theksin në domosdoshmërinë që organi i prokurorisë të mos ndikohet nga politika, si dhe i kanë kujtuar Ina Ramës hetimin për tragjedinë e Gërdecit dhe rrugën Durrës-Kukës.
Opozita
Deputeti i Partisë Socialiste Bashkim Fino duke iu drejtuar Ramës ka kërkuar prej saj që të tregohet e vendosur dhe e pavarur në punën e saj. “Ju duhet të tregoheni e vendosur, e pavarur dhe e përgjegjshme. Mbani sa më larg influencat e Saliut dhe të Bamirit. E përmenda këtë të fundit se në mbledhjen e fundit me prokurorët është shprehur se ka pasur bashkëpunim me ju. Mos keni bashkëpunim me presidentin për çështje konkrete. Bisedo sa më pak me kryeministrin dhe presidentin për çështje konkrete. Ta jap me siguri se pas një viti Saliu ikën nga politika, dhe nuk duam që Bamiri të na bëhet një Sali i dytë”, është shprehur Fino. Duke iu referuar raportit të prokurorisë, Fino tha se ky raport hedh poshtë të gjitha akuzat që maxhoranca rreshtoi një vit më parë kundrejt ish-prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Sipas Finos, raporti vërtetoi se akuzat e maxhorancës nuk ishin gjë tjetër veçse një sulm politik ndaj ish-prokurorit. Edhe deputeti tjetër i PS-së, Fatmir Xhafaj, solli shembuj që rrëzojnë akuzat që PD-ja hodhi kundrejt ish-prokurorit Sollaku. Sipas tij, akuzat e PD-së për falsifikimin e raporteve mjekësore për 27 të dënuarve është false. Kjo vërtetohet në raportin e prokurorisë së përgjithshme, ku thuhet se nuk ka asnjë vendim nga gjykata për lirimin e 27 të dënuarve. “Akuza juaj s’kishte në themel të vërtetën. Por ishte thjesht politike. Të gjitha akuzat tuaja për ekstradime nuk janë të vërteta, pasi vetë prokurorja Ina Rama pranoi se edhe aktualisht Shqipëria nuk ka bazë ligjore për të kryer ekstradime”, është shprehur Xhafaj. Më tej ai kujtoi dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit objekti dhe veprimtaria e komisionit hetimor për ish-prokurorin Sollaku, ishte antikushtetues. Sipas Xhafajt, kjo vërtetohet dhe në raporton e lexuar nga kryeprokurorja Rama. Në përfundim të fjalës së tij në emër të grupit parlamentar të PS-së, Xhafaj tha se hetimi profesional i tragjedisë së Gërdecit dhe i rrugës Durrës –Kukës do t’i japë certifikatën prokurores Rama për të qëndruar në detyrë. Por, sipas tij, kjo do të jetë dhe një certifikatë për pavarësinë e organit të prokurorisë dhe do të rrisë besimin e publikut tek drejtësia. “Edhe zonja Rama është vënë nën një sulm nga maxhoranca dhe e gjithë kjo për shkak të çështjeve të rëndësishme që janë nën hetim, si Gërdeci dhe rruga Durrës-Kukës. Tani “Silvia Konti” dyshohet dhe nuk pëlqehet më, pasi nuk ka përmbushur kërkesën e maxhorancës për të qenë një kukull e komanduar në pushtet. Hetimi profesional dhe i paanshëm dhe në respektim të Kushtetutës në këto dy çështje, janë kufiri dhe guri i provës për vetë zonjën Rama në postin që ajo ka marrë përsipër. Por gjithashtu është dhe certifikata që do të marrë prokuroria për pavarësinë”, është shprehur Xhafaj ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërpresë çdolloj sulmi ndaj prokurorisë. Ai gjithashtu ka kërkuar rritjen e fondeve për organin e prokurorisë dhe sigurimin e jetës së prokurorëve. Xhafaj gjithashtu ka bërë thirrje për realizimin e një reformë të gjithanshme në organin e prokurorisë, e cila sipas tij, duhet të synojë garantimin e statusit të prokurorit, mbrojtjen e institucionit nga politika, demokratizimin e prokurorisë, dhe vendosjen e një sistemi vlerësimi mbi bazën e karrierës.
Maxhoranca
Nga ana tjetër, deputetët e maxhorancës, ndërsa kanë vlerësuar punën e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme nën drejtimin e Ina Ramës, kanë vënë theksin në meritat e qeverisë që ka mbështetur punën e këtij organi të pavarur. Kështu, ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, është shprehur se suksesi i prokurorisë ka ardhur, vetëm, sepse ka pasur përkrahjen e qeverisë, si në hetimin e zyrtarëve të korruptuar, ashtu dhe në miratimin e heqjes së imunitetit të deputetëve për dy ministra të kabinetit qeveritar. “Prokuroria nuk mund të ketë sukses pa përkrahjen e qeverisë. Kjo qeveri është për kufizimin e imunitetit në mënyrë të përgjithshme, por në pamundësi e ka bërë këtë në dy raste që ka ardhur kërkesa nga prokuroria. Ky është një hap pozitiv dhe tregon vullnetin e qeverisë për të bashkëpunuar me prokurorinë. Për zyrtarët e korruptuar në 90 % të rasteve hetimet kanë nisur nga ministria e Brendshme. Nuk ka tregues më të mirë për prokurorinë që organet e ekzekutivit të nisin hetimet që ndihmojnë prokurorinë në punën e saj”, është shprehur Bumçi.
18 Korrik 2008