Alarmi për bukën, furrat në Tiranë po gatuajnë me miell të infektuar
Jonida Tashi
Shëndeti i banorëve të Tiranës prej katër ditësh po rrezikohet nga cilësia e bukës që konsumojnë. Gatimi me miell të infektuar pritet të japë alarmin shumë shpejt në të gjithë kryeqytetin. Në këtë përfundim paraprak, kanë mbërritur specialistët e Higjienës, pas ankesës së një qytetari që ka mbërritur në zyrat e tyre me një bukë të prishur në dorë. Pas këtij shqetësimi, specialistët kanë inspektuar në mënyrë të menjëhershme furrën e bukës duke marrë dhe mostra për analizë më të specializuar. Sipas specialistëve, furrat e bukës në kryeqytet për shkak të mungesës së dezinfektimit, janë të rrezikuara nga sëmundja e patates. Vetëm katër ditë më parë, në një furrë buke në një nga lagjet e populluara të Tiranës, është shfaqur një rast sporadik i kësaj sëmundjeje. Ka qenë një qytetar ai që ka vënë përpara përgjegjësisë Drejtorinë e Higjienës për të marrë masat e nevojshme. Të kontaktuar nga gazeta “Albania”, një gjë e tillë është pranuar edhe nga vetë drejtuesi i kësaj Drejtorie, i cili ka bërë të ditur se fillimisht rasti është denoncuar nga një qytetar, i cili e ka blerë bukën në këtë furrë dhe pasi e ka parë që ajo ka qenë e prishur i është drejtuar Drejtorisë së Higjienës në Tiranë. Më pas, kjo e fundit, ka nisur inspektimin në këtë furrë për të verifikuar jo vetëm problemin e konstatuar, por edhe kushtet në të cilat bëhet përgatitja e bukës. Pas konstatimit të këtij rasti, i cili për këtë vit është i pari, pritet që të gjitha furrat e bukës në kryeqytet t’i nënshtrohen kontrollit.
Kontrolli
Një nga specialistët e Higjienës Ushqimore, bën të ditur se pas konstatimit të këtij rasti, ka filluar menjëherë kontrolli i rreptë në të gjitha furrat, dhe janë marrë mbi 30 mostra. Ndërkohë që pas dy ditësh, pritet që specialistët e Higjienës të bëjnë publike rezultatet e mostrave të marra nga furrat e bukës në Tiranë. Origjina e kësaj sëmundje sipas specialistëve të Higjienës, vjen nga mosdizenfektimi i pajisjeve që bëhet buka, apo nga mielli i infektuar. Sëmundja e patates është një sëmundje e rrallë dhe bakteri i veçantë i kësaj sëmundjeje, favorizohet nga temperaturat e larta. Kjo sëmundje shkakton te njeriu të vjella dhe diarre. I kontaktuar nga gazeta “Albania” për këtë problem, drejtori i Drejtorisë së Higjenës në Tiranë, Gjergji Ndoja, nuk e ka mohuar një fakt të tillë. Ai ka sqaruar se ky është i vetmi rast i konstatuar ditën e shtunë të javës së kaluar duke theksuar se ky problem nuk është ngjitës dhe nuk ka pasoja të rënda për shëndetin, pasi nuk ka përmbajtje bakteriale. Një bukë e tillë dallohet vetëm kur pritet, pasi është e qullët në brendësi dhe thika ngjit në të kur ajo pritet dhe kjo bukë nuk duhet të konsumohet.
Masat
Drejtori i Drejtorisë së Higjienës sqaron se për të evituar këto probleme, furrat e bukës duhet të shtojnë majanë e thartuar për përgatitjen e brumit që është e ndryshme nga majaja e zakonshme e birrës që përdoret zakonisht. Pikërisht gjatë stinës së verës, bukëpjekësit duhet të përdorin vetëm majanë e thartuar. Gjithashtu, ambientet furrës së bukës dhe sidomos brumatriçja (pajisja që bën brumin) duhet të spërkatet vazhdimisht me uthull. Gjergji Ndoja sqaron se fenomen i prishjes së bukës është më i prirur të shfaqet në furrat e bukës që kanë ambiente të lagështa dhe të lagura. Sipas tij, sëmundja e patates te buka ekziston në çdo periudhë të vitit si te buka ashtu edhe te gruri, por në stinën e verës ajo ka një prirje të lartë për t’u shfaqur.
Problemet
Por ky nuk është i vetmi problem me të cilin janë përballuar konsumatorët e kryeqytetit. Buka, edhe pse ushqimi kryesor i tryezës së shqiptarëve, trajtohet nga qeveria njësoj si të gjitha mallrat e tjera që tregtohen në vend, apo që hyjnë nga importi. Ky produkt, edhe pse më i rëndësishmi për të shuar urinë e mbi 3 milionë shqiptarëve, që mendojnë çdo ditë vetëm për sigurimin e bukës, duket se i intereson më pak qeverisë, e cila takson çdo proces të prodhimit dhe tregtimit të këtij malli. Që nga porti ku hyn lënda e parë, grurë ose miell, e deri kur blihet në dyqan nga konsumatori, buka taksohet deri në 50 për qind të vlerës së saj të përgjithshme. Përballë kësaj situate, e vetmja zgjidhje për të shpëtuar nga këto probleme është pjekja e bukës në kushtet e shtëpisë. Pronarët e furrave të bukës, përveç të dhënave për taksat dhe koston, shpjegojnë edhe një sekret tjetër, atë të riciklimit të bukës. Ata pohojnë se gjatë ditës mundohen të pjekin aq sasi buke sa llogarisin se mund t’u merret nga blerësit.
Shpërndarja
Pothuajse 90 për qind e furrave prodhuese në kryeqytet e shpërndajnë bukën e tyre edhe nëpër pika shitjesh të tjera, kryesisht në dyqanet ushqimore apo edhe markete, ku buka, sipas tyre, “tregtohet në ambiente të posaçme”. Çdo ditë kjo shpërndarje bëhet me një ose disa mjete, sipas takatit të firmës dhe pronarit, kostoja për të cilën futet në koston e prodhimit të bukës. Po kështu, për çdo pikë shpërndarjeje, çdo shitësi i lihet nga 10 lekë fitim për bukën masive 850 gramshe, nga çmimi i saj prej 100 lekësh. Por fitimi që le prodhuesi varion në vlerën 1.5-2 lekë (të lëna te tregtari), për një simite që mund të shitet 10-15 apo dhe 20 lekë. Të gjithë tregtarët pohojnë se te shpërndarja e bukës në pika të tjera shitjeje ushqimesh, apo dyqane ose markete, ata sigurojnë një fitim goxha të madh, që mbulon deri në 100 për qind shpenzimet e tyre të kostos së prodhimit. Por kjo gjë, sipas pronarëve të furrave, mbart me vete edhe riskun e kthimit mbrapsht të bukës të nesërmen, si pasojë e mosshitjes. Por edhe kësaj duket se i është gjetur një zgjidhje origjinale, riciklimi.
“Riciklimi” i bukës
Buka e pjekur një herë dhe e nxjerrë për tregtim nuk mund të ripërdoret më për t’u bërë brumë ose bukë përsëri. Këtë e thonë edhe vetë bukëpjekësit dhe pronarët e furrave, por që tregojnë edhe mënyrën se si e “riciklojnë” atë. Një pjesë e furrave private janë të lidhura me kopshte ose çerdhe fëmijësh, që përmbajnë vakte ushqimi, konvikte, mensa private ose shtetërore, apo deri tek administrata e Burgjeve, ku dërgojnë rregullisht çdo ditë bukën e mbetur ose të kthyer nga një ditë më parë (të ftohtë, por të konsumueshme). Kjo gjë bëhet duke e tregtuar bukën e mbetur deri në 30 apo 40 për qind më ulet nga çmimi i parë, gjithmonë në marrëveshje me furnitorët e mensave të institucioneve. Ndërsa për furrat që nuk kanë mundur të krijojnë një lidhje të tillë, mjaft të leverdishme, zgjidhja janë fukarenjtë. Pronari i një furre buke në Tiranë shprehet se ai çdo ditë në furrën e tij shet, së bashku me bukën e sapo nxjerrë nga furra, edhe atë të një dite më parë, por me gjysmën e çmimit, duke ua shitur atë varfanjakëve ose pensionistëve, që sipas tij, kohët e fundit janë shtuar.
18 Korrik 2008