E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanja largon mallkimin italian, shkon në gjysmëfinale

 

Kampionët e botës janë eleminuar, pasi fati këtë radhë nuk i ka ndihmuar në gjuajtjet e 11-metërshave

Portieri Iker Kasiljas është heroi i Spanjës, që është kualifikuar për në gjysmëfinale, pasi ka fituar 4-2 me Italinë, pas 11-metërshave. Spanjollët prishin kështu syrin e keq, duke fituar në një datë ters për ta, siç është 22 qershori. Ata kishin plot 88 vjet që nuk fitonin ndaj italianëve dhe për të arritur këtë sukses i ka ndihmuar portieri Kasiljas, i cili priti dy 11-metërsha.

Italia dhe Spanja e kanë mbyllur në barazim kohën e rregullt, ashtu si dy çerekfinalet, Kroaci-Turqi dhe Holandë-Rusi. Ka qenë një

90-minutësh pa shumë emocione, sepse të dyja skuadrat kanë luajtur me shumë kujdes dhe rastet e pastra për shënim numërohen me gishtat e njërës dorë. Në këtë mënyrë, goli ka qenë vetëm një dëshirë për sulmuesit e të dyja skuadrave. Toni ka qenë i izoluar gjatë gjithë kohës, ndërsa vila dhe Torres janë kontrolluar mirë nga mbrojtja italiane, ku ka spikatur Kielini. Për Spanjën, që provoi më shumë me gjuajtjet nga jashtë zonës, vlen të përmendet një "silurë" e Senës. Portierit Bufon i ka shpëtuar topi, por kapiteni i italianëve ka qenë me fat, sepse shtylla ia ka kthyer sërish në duar. Ndërsa për Italinë, rastin më të mirë e ka pasur Kamoranezi, i futur në lojë në pjesën e dytë. Ai nuk arriti të shfrytëzonte një dalje të gabuar të Kasiljasit, pasi ka gjuajtur lehtë dhe portieri i Realit është kthyer në kohë në vendin e tij. Trajneri Donadoni hodhi në fushë edhe Di Natalen, kurse Aragones e freskoi skuadrën e tij me Kazorlën, Fabregasin dhe Gizën, përkatësisht në vend të Injestës, Ksavit dhe Fernando Torresit.

Edhe 30 minutat shtesë nuk kanë sjellë gol, ndonëse rastet nuk kanë munguar. Në shtesën e dytë ka pasur vend edhe për Del Pieron, por edhe ai nuk ka mundur të bëjë asgjë. Kualifikimi ka qenë në dorën e portierëve dhe Kasiljas ia ka arrritur, duke pritur dy

11-metërsha, atë të De Rosit dhe Di Natales. Për Italianë shënuan vetëm Groso dhe Kamoranezi. Edhe Bufon e priti penalltinë e Gizës, por për Spanjën shënuan Vila, Kazorla, Sena dhe Fabregas. Kështu, Spanja dhe Italia do të ndeshjen përsëri mes tyre, këtë radhë në gjysmëfinale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›