Opozita: Kuvendi të shqyrtojë projektligjin për SHISH-in

Deputetët e opozitës kanë kërkuar sot në komisionin parlamentar të sigurisë shqyrtimin e projektligjit për SHISH-in nga Kuvendi.
Në mbledhjen e parë për këtë sesion parlamentar të këtij komisioni, opozita ka kërkuar që projektligji për mbikëqyrjen parlamentare të SHISH-it të diskutohet në seancën plenare ndërsa ka kërkuar gjithashtu që të raportojnë në komision edhe disa ministra në lidhje me sigurinë.
Sipas deputetëve të opozitës disa nga ministrat që duhet të raportojnë në komisionin e sigurisë janë ai i jashtëm Edmond Haxhinasto, ministri i brendshëm Bujar Nishani, ministri i drejtësisë Eduart Halimi por edhe kreu i SHISH Bahri Shaqiri.
Sipas opozitës Haxhinasto duhet të japë detaje në lidhje me sigurinë e informacionit ndërsa dy ministrat e tjerë në lidhje me krimin në vend.
Ndërkohë projektligji për SHISH-in është kundërshtuar fort nga opozita e cila e cilëson ligjin si tentativë nga ana e kryeministrit për të uzurpuar Shërbimin Inrormativ Shtetëror.
Kështu, në projektligjin e ri, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, përveç raportit të zakonshëm vjetor, duhet që të raportojë përpara Kryeministrit në çdo kohë dhe për çdo çeëhtje që lidhet me veprimtarinë e këtij institucioni.