Berisha: Rritja e eksporteve falë modelit ekonomik
Kryeministri Berisha ka deklaruar sot se eksportet gjatë 8 mujorit të parë të vitit janë rritur në 25 miliardë lekë krahasuar kjo me vitin 2010 dhe kjo sipas tij falë modelit të sukseshëm ekonomik të ndërmarrë nga qeveria. Duke folur në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha theksoi se rritja e eksporteve shpreh dinamizmin e admirueshëm të ekonomisë shqiptare.
“Rritja e eksporteve është një nga treguesit më thelbësor të rritjes së konkurentshmërisë në ekonomi, të rritjes së investitorëve dhe një nga treguesit për rritjen e punësimit në Shqipëri. Rritja e eksporteve në 8 mujorin e parë të 2011-ës shoqërohet nga një rritje e ndjeshme të mallrave të manifakturës çka është e lidhur me punësimin, shoqërohet me një rritje të qëndrueshme të eksporteve bujqësore që dëshmon përballjen e suksesshme të fermerëve shqiptarë me ato të vendeve të tjera” ka theksuar Berisha.
Sipas shefit të qeverisë fundi i këtij viti shënon trefishimin e eksporteve në një hark kohor 6 vjeçar ndërsa kjo sipas tij është një tregues i suksesit të modelit ekonomik. “Ky model funksionin, ky model është i qëndrueshëm dhe garanton dhe mbron vendin nga recesioni dhe kriza e borxheve që ka përfshirë një sërë vendesh në Europë. Ky është një lajm pozitiv por edhe detyrues që do të thotë që ne duhet të bëjmë gjithçka për qëndrime më transparente dhe më pak burokratike ndaj biznesit” ka shtuar Berisha.
Më tej kryeministri Berisha theksoi se pavarësisht debateve dhe agresivitetit për të dëmtuar bankat dhe kundër rritjes së rrogave dhe pensioneve ky model ia doli të funksionojë dhe është nga më të suksesshmit.
“Ne duhet të bëjmë përpjekjet më të mëdha për përsosjen e këtij modeli, për konsolidimin e shtyllave të këtij modeli. Është biznesi, dinamizmi dhe vizioni i tij ai që ka mbrojtur vendin nga kriza ekonomike. Në ndihmë të biznesit ne kemi vendosur standartet më të mira që mund të ekzistojnë. Ne u bëmë vendi më i suksesshëm për “one stop shop”. Ne kemi kapur çatinë e botës për sa i përket taksave fiskale, por ne kemi sërish punë për të bërë për biznesin” ka theksuar më tej Berisha.
Sipas tij duhet të krijohet një portal më transparent në lidhje me marrëdhëniet administratë-biznes duke kërkuar që të përcaktohen të gjitha burimet që ky portal të jetë një nga më të suksesshmit.