E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita, Rama u shtrin dorën aleatëve

Një ditë pas votimit të paketës së ndryshimeve në Kushtetutë, kreu i socialistëve, Edi Rama, lançoi filozofinë e re të bashkëpunimit me aleatët. Lideri i opozitës vlerësoi se Kuvendi mbylli një reformë zgjedhore, që i vuri kapak një kapitull të zgjatur deformimesh të rënda të vullnetit të zgjedhësve. "Zhgënjime të njëpasnjëshme të bashkëqytetarëve tanë nga proceset e pandershme elektorale dhe cenime të papranueshme të imazhit në sytë e botës", tha ai. Rama konstatoi se reforma hap një kapitull të ri ballafaqimesh mes partive shqiptare, të cilat nuk mund të marrin më atë që nuk u takon dhe nuk mund të jetojnë më në kurriz të njëra-tjetrës, duke luajtur "kukafshehthi" me popullin sovran. "Duke i mirëkuptuar ekseset verbale në debatin që shoqëroi ndryshimin e madh të miratuar nga Kuvendi, unë dua të ftoj sot të gjithë ata që u pozicionuan e votuan kundër kësaj reforme të domosdoshme, që të kuptojnë se ky ndryshim themelor nuk është kundër atyre e as nuk përjashton askënd nga mundësia për të konkurruar në mënyrë të lirë e të ndershme", bëri thirrje Rama. Partia Socialiste, shtoi ai, nuk e ka ndërmarrë këtë nismë transformuese për të përjashtuar nga konkurrimi aleatët e saj të djeshëm, të sotëm a të nesërm. "Partitë opozitare apo forca të tjera shoqërore dhe individë do të bashkohen me ne në betejën historike të vitit 2009, për të fituar ballafaqimin mes një politike të re dhe politikës së dështuar të 17 vjetëve tranzicion, që mishërohet tërësisht në pamjen e në bëmat e qeverisë e të Kryeministrit të sotëm", argumentoi Rama. Ai e cilësoi projektin si nismë radikale, për t‘i dhënë politikës përmbajtjen, për t‘u dhënë programeve peshë në ballafaqimet elektorale. "Dua t‘i ftoj aleatët tanë, që ta shohin përpjekjen tonë, si shprehjen e një vetëdije të re, për rolin që duhet të luajë partia më e madhe në Shqipëri", vlerësoi Rama. Kjo, shtoi ai, në funksion të përmirësimit të procesit politik e të çlirimit të politikës nga peshat e rënda të konflikteve dhe armëve të vjetra të luftës për pushtet e faktorizim personal apo klanor, të cilat boll i kanë rraskapitur shqiptarët e varfëruar e të papunë. Rama shprehu keqardhje për të gjithë agresionin verbal të kohëve të fundit në adresën e tij dhe të Partisë Socialiste. Ndërsa uroi që të gjithë ta kuptojnë edhe më mirë sot, se kjo parti përfaqëson shumicën e shqiptarëve e shqiptareve dhe as shantazhohet e as ndalet në rrugën e saj të re. "Por, e përsëris, ne jo vetëm s‘do t‘i rrëmbejmë armët e politikës së vjetër të akuzave, shpifjeve, fyerjeve e sharjeve, për t‘ua kthyer me të njëjtën monedhë atyre që nuk ditën të ruajnë fillin e arsyes në rrugën e këtij ndryshimi në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve, por, përkundrazi, duke e kuptuar se sa e vështirë është të ndahesh me të vjetrën, do të vijojmë të hapim rrugën e së resë", premtoi Rama.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›