E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dërgohen në gjykatë, dhunuan dhe trafikuan një femër në Kosovë

Dy persona do të përballen me akuzën e trafikut të femrave për prostitucion, pasi kanë trafikuar një vajzë në Kosovë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet ndaj Isat Metaliajt dhe Tahir Sylecit. Sipas prokurorisë, ata kanë trafikuar E.M. E dëmtuara është me origjinë nga rrethi i Matit. Në vitin 2003 është martuar në qytetin e Bajram Currit, martesë e cila ka zgjatur deri në muajin gusht të vitit 2005. Sipas kërkesës për gjykim, nga muaji janar i vitit 2006 deri në datën 7 mars 2006, e dëmtuara nëpërmjet telefonit është njohur me Isat Metaliajn. I pandehuri, sipas akuzës, ka lidhje shoqërore me Tahir Sylecin. Ky i fundit është interesuar për gjetjen e një femre me qëllim shitjen në Kosovë. "Pas këtij momenti, i pandehuri Metaliaj, është interesuar tek ish-bashkëshorti i të dëmtuarës, për gjetjen e numrit të telefonit të saj. Metaliaj, në zbatim të planit kriminal i është prezantuar fillimisht të dëmtuarës si Mehmet Zharku nga Tropoja dhe kishte si synim që të lidhej me të. Pas këtij momenti, Metaliaj, ka komunikuar vazhdimisht me të dëmtuarën deri në datën 7 mars 2006, datë në të cilën janë takuar në qytetin e Tiranës", thuhet në kërkesën për gjykim. Pas takimit, i pandehuri ka vazhduar mashtrimet e tij duke u prezantuar si vëllai i Mehmetit me emrin Esat Zharku, dhe do dërgonte në Tropojë të dëmtuarën te Mehmeti. Prokuroria vijon se i hetuari së bashku me të dëmtuarën kanë shkuar në një hotel në afërsi të Stacionit të Trenit Tiranë, ku e dëmtuara i ka kërkuar që të kthehej në shtëpi, por i hetuari është prezantuar si Isat Metaliaj tha se kishte si qëllim që ta trafikonte në Kosovë. Ndërkohë, e ëma e të dëmtuarës e shqetësuar për të bijën, e cila nuk ishte kthyer nga puna si zakonisht, interesohet te shoqet e punës dhe mëson prej tyre se ajo nuk kishte shkuar në punë atë ditë. Ajo ka bërë kallëzim në polici për zhdukjen e vajzës së saj. Policia ka arritur të kontaktojë me të dëmtuarën dhe të pandehurit, të cilët i kanë thënë se do të martoheshin. Në fakt, prokuroria ka zbuluar se Isat Metaliaj dhe Tahir Syleci me veprimet e tyre kriminale duke rekrutuar, transportuar, nëpërmjet kërcënimit, dhunës fizike e psikike, si dhe nën përdorimin e armës së zjarrit, kundrejt marrjes së shumës prej 3000 euro, kanë trafikuar në Kosovë të dëmtuarën E. M., të cilën kundra vullnetit të saj, e kanë detyruar që të martohej me shtetasin Pajazit Thaçi, të moshës rreth 75-vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›