E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga 5 personave për trafik armësh

Pesë persona, dy prej të cilëve kosovarë, kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi dyshohen se kryenin trafik armësh e municionesh nga Shqipëria në Kosovë. Mes të arrestuarve është edhe një nënoficer i ushtrisë, për të cilin mendohet se siguronte municionet për trafik. Burimet policore bënë të ditur se zbulimi i këtyre personave është bërë gjatë operacionit të koduar "Dungu", i cili është konkretizuar dje me arrestimin e tyre në qytetin e Burrelit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se pesë persona, dy prej të cilëve kosovarë, u arrestuan gjatë operacionit të koduar "Dungu" për akuzuat "trafik të paligjshëm të armëve dhe municioneve", si dhe për "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit". Sipas informacioneve zyrtare nga uniformat blu, në pranga kanë rënë Naim Dungu, 42 vjeç, Shaban Sulmeta, 46 vjeç, me detyrë nënoficer pranë një Reparti Ushtarak të Burrelit, Behar Dungu, 33 vjeç, të tre nga Burreli, si dhe shtetasit kosovarë Arben Beka, 18 vjeç e Ali Peci, 38 vjeç. Hetimi për kapjen e këtyre personave kishte nisur nga Antitrafiku i Tiranës disa muaj më parë. Në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, grupi hetimor kishte mundur të lokalizojë të dyshuarit, duke i mbajtur nën vëzhgim derisa të bënin gati lëvizjen e tyre të radhës për të trafikuar municione drejt Kosovës. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se municionet do të siguroheshin nga nënoficeri ushtarak, i cili nëpërmjet familjes Cungu do të lidhej me kosovarët. Kështu ka ndodhur edhe në momentin e goditjes së këtij grupi, ku pesë personat e akuzuar për trafik municionesh janë kapur në dalje të qytetit të Burrelit. Në bazë të hetimeve të realizuara nga strukturat antitrafik të policisë së kryeqytetit, u konkludua se rruga e shtrirjes së trafikut të armëve e municioneve, ishte nga qyteti i Burrelit për në drejtim të Mitrovicës. Gjithashtu, sipas hetimeve, dyshohet se Arben Beka dhe Ali Peci, i siguronin armët dhe municionet nga Naim Dungu, Behar Dungu. Gjatë momentit të arrestimit atyre iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automatik model 56, 6320 fishekë automatiku, një automjet tip "Audi" me targa të Kosovës, një motoçikletë tip "Madens", 350 euro, 21200 lekë dhe një pasaportë në emër të Naim Dungut. Policia tha se dyshohet që ka edhe persona të tjerë, që janë përfshirë në këtë linjë trafiku.

Të arrestuarit

- Naim Sefer Dungu

- Shaban Abaz Sulmeta

- Behar Xhemal Dungu

- Arben Ukshin Beka

- Ali Sherif Peci

Sekuestrimet

- automatik model 56

- 6320 fishekë, nga të cilët 3600 copë model 56 dhe 2720 copë model 54

- automjeti tip "Audi", me targa të Kosovës

- 1 motoçikletë tip "Madens"

- 350 euro dhe 21 200 lekë

- një pasaportë në emër të shtetasit Naim Dungu



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›