Shkruhen përsëri parulla antigreke në muret e shkollës
Politika e vjetër e konflikteve mes komuniteteve dhe etnive të ndryshme, që përbëjnë popullsinë e Sarandës, ka nxjerrë sërish dorën me të cilën janë shkarravitur të tjera parulla, pas atyre që u gjetën paraditen e së dielës në muret e pasme të ndërtesës së gjimnazit "Hasan Tahsini". Dje, muret e fasadës kryesore të kësaj shkolle janë gdhirë të mbushura me parulla dhe simbole që bartnin mllefe nacionaliste, me zbardhjen e të cilave është duke u marrë hetuesia. Ato janë formulime sharjesh dhe simbole të turpshme, në shqip dhe anglisht, para të cilave kanë mbetur të shtangur nxënës e mësues. Në suvanë e shkallëve dhe në gurët e skalitur të fasadës ballore të hyrjes për në institucionin arsimor, ishin shkruar në shqip dhe anglisht: "E jona Arbëri, e bukura Çamëri", "Para Labëria, çunat e Shqipërisë", "Ropt dhe motrat grekëve", "Fuck off Grece". Menjëherë është mbledhur senati i nxënësve të zgjedhur të kësaj shkolle, mjedisi i pastër social i së cilës është ndotur nga elementë zjarrvënës të bashkëjetesës dhe të simboleve e ndjenjave kombëtare, ashtu si djegia e flamurit grek pasditen e së dielës në lulishten e shatërvanit të qytetit. Senada Hysi, presidente e qeverisë së nxënësve tha se ngjarja është jashtë realiteteve të përditshme që përjetojnë nxënës e mësues. Senatorët kanë organizuar takime sqaruese nëpër klasa dhe kanë dalë me një deklaratë, e cila ka dënuar akte të tilla provokuese, që nxisin përçarje atje ku dasitë janë të imagjinuara. Nën drejtimin e zotit Eduart Mehmeti, përgjegjës i zyrës arsimore dhe zotit Apostol Nika, drejtor i shkollës së mesme të përgjithshme "Hasan Tahsini", është mbledhur stafi pedagogjik i shkollës, ku është dënuar shfaqja dhe është bërë apel për të mos rënë pre e provokimeve të ekstremistëve. Nga Komisariati i Policisë së Sarandës, në gjimnazin "Hasan Tahsini" është dërguar një grup ekspertësh kriminalistë, të cilat kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, që përfaqësojnë parullat e shkruara dhe simbolet e paraqitura. Persona të dyshuar si autorë të shkrimit të parullave provokuese janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë dhe pasi janë pyetur janë lënë të lirë. Ndërkohë, mësohet se vazhdojnë hetimet për episodin e djegies së flamurit.