Tryeza, Berisha nuk shkon tek Topi për kutitë e votimit

NEGOCIATAT
Strategjia e re e PS dhe PD pas takimit të parë tek Topi. Berisha s'do pranojë kompromis për kutitë. Ky qëndrim duket se do të zgjasë deri në kufijtë kohor që lejon Kushtetuta për mandatet e deputeteve
TIRANË- Ashtu siç edhe tregoi tryeza e thirrur nga kreu i shtetit, zgjidhja e krizës politike në Shqipëri mbetet tepër e vështirë. Dy ditë më parë, opozita shkoi në këtë tryezë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë e cila do ti jepte fund ngërçit politik, por nuk gjeti të njëjtin gatishmëri nga ana e mazhorancës.
Ndryshe nga eksperiencat e kaluara, Kryeministri Sali Berisha shkoi në këtë tryezë krejt formalisht, pa zgjidhje, duke mos lëshuar pe nga qëndrimi i tij për të mos hapur kutitë e votimit.
Burime nga PD-ja deklaruan dje për gazetën se ky qëndrim i kryeministrit të vendit nuk do të ndryshojë. Sipas burimeve, deri më tani, nuk ka asnjë tërheqje nga ana e kryeministrit për të gjetur një kompromis mbi kutitë, duke e cilësuar kapitull të mbyllur me argumentin se nuk mund të cenohen vendimet e gjykatave.
Ashtu siç rezultoi edhe në tryezën me Presidentin e Republikës, kryeministri i vendit paralajmëroi se nuk do të ulej më në një tryezë të tillë me argumentin se nuk kishte asgjë tjetër për të thënë.
Ky qëndrim duket se do të zgjasë deri në kufijtë kohor që lejon Kushtetuta për mandatet e deputeteve, për t'i vënë kundërshtarët politikë përballë një presioni të brendshëm në rritje, ç'ka do ti jepte atyre shansin që të marrin atë që duan, por pa dhënë atë që u kërkohet.
Burimet flasin për një zvarritje të procesit nga ana e Berishës, për të përfituar më pas nga ajo që mund të ndodhë brenda grupit socialistë, qoftë nga një rrjedhje e mundshme ashtu siç edhe është deklaruar nga një pjesë e tyre, ose edhe nga një vendim i strukturave të partisë për të hyrë në Kuvend para se të skadojë ky afat.
Një skenar ky që duket se është kuptuar nga socialistët të cilët natyrisht kanë nisur të kundërveprojnë për të shmangur shtyrjen e bisedimeve në limitet e këtij afati.
Për këtë arsye këto dy ditë drejtues të lartë socialistë duke filluar që nga kryetari Edi Rama, por edhe tryeza e aleatëve, kërkuan me ngulm përshpejtimin e negociatave, por jo në rang teknikësh, por në rang politikë, në të njëjtin nivel përfaqësimi siç qenë edhe të parat, të bindur se çështja kërkon vetëm vullnet politikë.
Debati më i ashpër gjatë takimit në presidencë është zhvilluar pikërisht për këtë pikë. Kryesocialisti Rama ka kërkuar që negociatat të përqendrohen tek kutitë por Berisha ka reaguar menjëherë duke thënë një JO të prerë për çështjen. Topi ka tentuar të gjejë një zgjidhje për ti bërë qejfin të dyja palëve.
Ai ka propozuar që të dielën e të hënën të zhvilloheshin negociata teknike në nivel ekspertësh dhe dy kryetarët e partive të ktheheshin të martën në presidencë për negociata politike. "Unë nuk kam pse vij më në presidencë. Atë që kisha politikisht e kam thënë. Nuk vij të martën për negociata politike. Negociatat të vazhdojnë në nivel teknik. Unë i jap opozitës shumicën në komisionin parlamentar",- tha Berisha.
Por kjo nuk gjeti pëlqimin e Ramës, i cili u shpreh: "Nuk ka kohë për negociata në nivel teknik. Ti nuk ke vullnet politik për të gjetur zgjidhjen dhe në këtë pikë ne nuk mund të diskutojmë në nivel ekspertësh. Kjo është një çështje që do zgjidhje politike dhe zgjidhja e vetme është hapja e kutive".
Në vijim të këtij synimi, opozita ka vendosur dje në tryezën e aleatëve që të mos përcaktojë datë për rifillimin e protestave, duke pritur së pari për pak kohë ecurinë e zhvillimeve në tryezën e presidentit.
Burime pranë selisë rozë konfirmuan se koha e pritjes nuk do të jetë e gjatë pasi për ta tashmë skenari i mazhorancës është i qartë. Nga ana tjetër edhe vetë mazhorancës nuk i intereson shtyrja e zgjidhjes së krizës pa limit, zvarritja në kohë do të thellonte krizën, çka do të rriste koston kundrejt procesit të liberalizimit të vizave dhe procesit të marrjes e statusit të vendit kandidat.
Ishte ambasadori i Spanjës në vendin tonë, si vend që mban presidencën e radhës së Komisionit Europian, Emanuel Montobio ai që bëri të ditur se procesi i liberalizimit të vizave dhe ai i statusit të vendit kandidat janë të ndër varura direkt nga situata politike në vend, pasi mbledhja e Këshillit të Stabilizim-Asociimit në nivel ministrash mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë do të mbahet më 10 maj.
Nga Sllovenia, Ilir Meta theksoi se, opozita duhet të respektojë vendimet e gjykatave dhe se bojkoti i opozitës është i pajustifikuar.
Meta: PS të futet në Kuvend. Kutitë nuk hapen
LJUBJANË- Në mungesë të një qëndrimi zyrtar nga ana e kryeministrit Sali Berisha mbi vijimësinë e negociatave, ka reaguar dje zv-Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Ky i fundit ka përforcuar qëndrimin e mazhorancës se nuk do të ketë asnjë kompromis mbi kutitë e votimit. Nga Sllovenia bëri të qartë se mazhoranca nuk do të negociojë me opozitën për çështjen e hapjes së kutive, pasi sipas tij, ajo nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin slloven Danilo Turk, i pyetur nga mediat vendase për krizën politike në Shqipëri, Meta theksoi se, opozita duhet të respektojë vendimet e gjykatave dhe se bojkoti i saj është tërësisht i pajustifikuar.
Kreu i diplomacisë shqiptare u shfaq optimist për zgjidhjen e krizës politike duke thënë se mazhoranca do t'i japë gjithë hapësirën e nevojshme opozitës në Parlament, për të diskutuar dhe trajtuar pretendimet e saj, me përjashtim të transparencës së zgjedhjeve të fundit parlamentare.
"Arkitekti i këtyre zgjedhjeve si rrallë në vendet që janë në stadin demokratik të Shqipërisë, ka qenë kryetari i opozitës, i cili ka bërë edhe Kodin dhe gjithë procesin e administrimit zgjedhor.
Natyrisht që ne na vjen keq që ka një bojkot të pajustifikuar të opozitës, ashtu sikurse kemi besim se kjo çështje do të zgjidhet, sepse qeveria nga ana e saj dhe mazhoranca kanë qenë dhe janë të hapura që të ofrojnë të gjitha mundësitë opozitës, që të luajë rolin e saj në Parlament, që të çojë përpara të gjithë pretendimet e saj, por e vetmja gjë që qeveria nuk mund të bëjë, është që nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave", - tha dje Meta.
Ministri i Jashtëm kërkoi që lideri i opozitës të ndërgjegjësohet për respektimin e vendimit të gjykatave që janë dhënë për zgjedhjet. "Në këtë drejtim, ne besojmë në një ndërgjegjësim më të madh edhe të liderishipit të opozitës, sepse një shtet, i cili nuk respekton pavarësinë e gjykatave, nuk mund të quhet një shtet demokratik dhe aq më tepër një shtet i cili seriozisht ecën në rrugën e anëtarësimit në Bashkimit Evropian", - u shpreh ai.
Edhe pse Presidenti i Republikës, Bamir Topi, uli në tryezë ditën e hënë dy krerët e forcave kryesore politike në vend Rama dhe Berisha, negociatat prej tre orësh rezultuan pa sukses.
Edhe pas këtij takimi, palët nuk lëshuan pe. Rama bashkë me aleatët këmbëngulin në hapjen e kutive të votimit si e vetmja zgjidhje për transparencën e zgjedhjeve, ndërsa kryeministri Berisha i mbështetur fort në këtë pikë edhe nga zv-Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, përjashtojnë çdo mundësi negocimi mbi këtë çështje.
Ambasadori spanjoll theksoi gjithashtu se opozita duhet të futet në Kuvend
Montobio: Negociatat duhet të prodhojnë rezultate
TIRANË- Komuniteti ndërkombëtar vazhdon të ushtrojë presion ndaj klasës politike shqiptare për të zgjidhur krizën politike përpara se të ndërhyjnë ndërkombëtarët për ta zgjidhur atë.
Ambasadori i Spanjës në Shqipëri Manuel Montobio në një intervistë televizive ka theksuar se krerët e forcave politike në vend, duhet të arrijnë një marrëveshje midis tyre për të zgjidhur krizën politike deri më datën 22 shkurt, datë në të cilën në Shqipëri mbërrin një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i kryesuar nga Presidenti i këtij institucioni.
Sipas krye-diplomatit spanjoll deri më këtë datë, aktorët politikë shqiptarë së bashku me presidentin e Republikës duhet të kenë prodhuar rezultate domethënëse për zgjidhjen e krizës politike.
"Por më afër akoma ka edhe dy data që janë më të rëndësishme; më 22 shkurt një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të vijë në Shqipëri dhe do të ishte shumë pozitive që deri më këtë datë, procesi i dialogut të presidentit të Republikës të tregojë që jo vetëm ka filluar por edhe po prodhon edhe disa rezultate domethënëse", - u shpreh Montobio.
Sipas tij, opozita duhet të hyjë në Parlament dhe ta zhvillojë dialogun politik aty. "Unë mendoj se ka gjithashtu edhe një afat shumë të rëndësishëm kushtetues që është mbushja e afatit gjashtë mujor, kur anëtarët e Parlamentit duhet të zënë vendet e tyre në Parlament.
Çfarëdo që të negociohet skenari pozitiv do të ishte që opozita të hyjë në Parlament brenda këtyre ditëve në sajë të një marrëveshjeje që do të lejonte vazhdimin e dialogut politik në Parlament, i cili nuk është një gjë e jashtëzakonshme por diçka normale dhe e zakonshme në çdo demokraci", - përfundoi Montobio.