E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita bllokoi foltoren, Kuvendi kalon në votim të rendit të ditës

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kuvendi miratoi kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për kalimin në votim të pikave të rendit të ditës, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit.

Bllokimi më i fundit erdhi pas mbylljes së diskutimeve për procedurë dhe kalimit në pikën e leximit të raporteve për Reformën Territoriale. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke mos lejuar bashkëkryetarin e komisionit, Arbjan Mazniku të marrë fjalën.

Në seancën plenare ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Pasi kreu i Kuvendit, Niko Peleshi kërkoi disa herë largimin e deputetëve të opozitës nga foltorja, Balla mori fjalën duke deklaruar se bllokimi i foltores është pjesë e një skenari të deputetëve të Partisë Demokratike për të penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit.

“Në seancën e kaluar bllokuat foltoren sepse nuk donit të fliste Avokati i Popullit. Sot nuk lejoni të flasë bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative-Territoriale, Arbjan Mazniku. Për këtë arsye kërkojmë kalimin në votim të pikave të rendit të ditës”, deklaroi Balla.

Pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar socialist, Kuvendi vendosi kalimin në votim të pikave të parashikuara në rendin e ditës.

Opozita bllokon foltoren e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 15

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›