Opozita deklarohet kundër, Escobar: Shpresoj që Shkupi të miratojë ndryshimet kushtetuese

I dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar gjatë vizitës dy ditore në Shkup shprehu mbështetjen e fortë të Uashingtonit për rrugën e integrimit të Shkupit drejt Bashkimit Evropian.
Ai tha se pret vazhdimin e procesit të ndryshimit të Kushtetutës, “të cilin SHBA dhe BE e konsiderojnë si një hap të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut drejt integrimit evropian”.
“SHBA-të i shikojnë si partnerë natyrorë ata që i janë përkushtuar integrimit evropian, NATO-s dhe luftës kundër korrupsionit”, shtoi zoti Escobar, ndërsa tha se pret të dëgjojë dhe shkëmbejë pikëpamje me drejtuesin opozitar.
“Në Maqedoninë e Veriut sot është i pranishëm një zyrtar i lartë i një vendi shumë miqësor siç janë SHBA dhe zoti Escobar është në vizitë të rregullt në rajon”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski duke hedhur poshtë këmbënguljet e kryetarit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski se “qeveria gjunjëzohet për të sjellur diplomatë të huaj që të ushtrojnë trysni si pjesë e një komploti botëror me qëllim të sigurimit të votimit të ndryshimeve të kushtetutës”.
Escobar theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të llogaris mbështetjen amerikane për sfidat që ka. Ai tha se SHBA-të dëshirojnë integrimin e këtij vendi në BE, teksa u shpreh se: “Sa i takon zgjerimit të BE-së, Ballkani Perëndimor është një rajon më shpresëdhës për Evropën në këto momente me potenciale për të kontribuar në fushën e energjisë dhe fusha të tjera”.
“Evropa ka nevojë për ju; SHBA-të kanë nevojë për ju brenda Evropës; ka shpresë sepse jeni partner strategjik më i afërm dhe Amerika ka përfituar nga ky partneritet dhe ju do të përfitoni duke bërë zgjedhjen e vështirë për një të ardhme të ndritur”, theksoi ai gjatë një konference për gazetarë me kryeminstrin Dimitar Kovaçevski.
I dërguari amerikan u takua edhe me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Mickovski.
Ky i fundit ka konfirmuar qëndrimin e njohur kundër ndryshimeve kushtetuese. Mickovski, sipas një komunikate të partisë i ka thënë zotit Escobar se “autoritetet qeveritare për shumë çështje të brendshme politike e keqinformojnë komunitetin ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara”.
Mickovski paralajmëroi në Facebook se “mbajtja artificale çdo ditë më shumë e këtij pushteti do të thoshte krizë më e thellë për vendin”.
VMRO-DPMNE-ja vlerëson se zgjedhjet e parakohshme janë mundësia e vetme e daljes nga kriza dhe se ndryshimet e Kushtetutës, janë pjesë e një diktati bullgar, sipas saj.
Analistët në Maqedoninë e Veriut mendojnë se është e vështirë të sigurohen dy të tretat e votave në parlament për miratimin e ndryshimeve të Kushtetutës. Kjo do të thoshte ngecje e vendit të vogël ballkanik në rrugën evropiane dhe për rrjedhojë, sipas analistëve krizat do të jenë të pashmangshme. VOA