Pendarovski pret Escobar: SHBA mbështet aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka pritur të enjten Gabriel Escobarin, zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), i cili ndodhet për një vizitë dyditore në Shkup.
Sipas njoftimit të zyrës së Pendarovskit, në takim është konfirmuar mbështetja e SHBA-së për aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Në të njëjtën kohë, Washingtoni zyrtar ka shprehur pritjen se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Pendarovski ka theksuar rëndësinë e mbështetjes që Shtetet e Bashkuara ofrojnë për arritjen e qëllimeve strategjike të vendit.
Në këtë drejtim, në takim është biseduar për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrë Maqedonia e Veriut për të përparuar në procesin e integrimit në BE.
Në takim është diskutuar edhe për situatën në rajon më të gjerë, në kontekst të agresionit rus kundër Ukrainës, bëhet e ditur në njoftim.
/ rtsh.al /