Opozita dhe Edi Rama rilindin me Skënder Tufën
I dëshpëruar nga testimet që e lënë përjetësisht në minorancë, Edi Rama ka gjetur si zgjidhje ekstreme rreshtimin përkrah Skënder Tufës, të dënuarit me 7 vjet burg për prostitucion. Kjo aleancë e re synon të mbajë pezull jetën e shqiptarëve, pasi merret vesh se me datën e zgjedhjeve, vjen edhe pensioni politik i uzurpatorit në krye të PS-së
PD: Aleanca Rama-Tufa ka ngritur një grevë private, dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve sipas ligjit
Partia Demokratike akuzoi sërish kreun e PS-së Rama se nëpërmjet Skënder Tufës po menaxhon grevën e ish të përndjekurve politik, duke krijuar një aleancë politike.
“Motoja tashmë e njohur e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama: ‘Të bashkohemi me të gjitha fundërrinat kundra mazhorancës aktuale’, solli si produkt të ri aleancën e Edi Ramës me Skënder Tufën, kriminelin e liruar pasi kreu dënimin me 7 vjet burg për trafiqe njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni dhe të cilit Edi Rama i ka besuar i menaxhimin e grevës së tij private”.
Në një konferencë për shtyp zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi theksoi se séanca dëgjimore e thirrur në komisionin e ligjeve nga ana e opozitës doli të ishte një grevë heshtjeje. “Në funksion të Aleancës së re Rama-Tufa kryetari i Partisë Socialiste kishte urdhëruar deputetët e tij të thërrisnin me urgjencë në seancë dëgjimi Ministrin e Drejtësisë Eduard Halimi lidhur me zbatimin e ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik nga mazhoranca aktuale”, theksoi zëdhënësja e PD.
Sipas saj, në këtë seancë dëgjimi ministrit Halimi sqaroi dhe një herë shqiptarët me faktet se “ligji shqiptar i dëmshpërblimit të martirëve të gjallë të kalvarit të egër komunist i hartuar në bashkëpunim të ngushtë me ta, përcakton normën prej 18.6 dollarë dëmshpërblim për ditën e vuajtjes së dënimit dhe se kjo është norma më e lartë në Europë. Zoti Halimi informoi shqiptarët se në përputhje me këtë ligj martirëve të gjallë të lirisë u janë dhënë deri sot 103 milionë dollarë dhe lek privatizimi, si dhe mbi 2 mijë e 200 apartamente banimi, 2 mijë e 751 fabrika ndërmarrje, linja prodhimi, hotele, klube e njësi të tjera shërbimi të privatizuara me çmime simbolike me lek privatizimi si dhe 71 shoqëri aksionare. Rreth 22 mijë të drejta studimi, bursa dhe tarifa studimi në universitetet e vendit”.
Ndër të tjera reagimi i Partisë Demokratike nuk la pa përmendur edhe faktin që kur qeverisi për tetë vjet e majta për viktimat e regjimit komunist nuk pati asnjë interes as dëmshpërblim, përkundrazi para morën xhelatët e viktimave. “Ndërkohë që Partia Socialiste 8 vjet në pushtet nuk dha as edhe një qindarkë dëmshpërblim martirëve të kalvarit të bllokmenëve hoxhistë, i spastroi ata të gjithë nga puna në shtet dhe shpërbleu me qindra milionë Lek xhelatët e tyre, Ramiz Alinë, Nexhmie Hoxhën dhe bllokmenët e tjerë hoxhistë të dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, nënvizoi ajo.
Më pas zëdhënësja e PD, Bardhi deklaroi, se “ministri Halimi informoi deputetët e aleancës ‘Rama-Tufa’ se viktimat e kësaj Aleance që ndodhen në çadrat e ngritura me urdhër të Edi Ramës te studio e Kristaq Ramës kanë marrë së bashku, lek, dhe lek privatizimi 256 mijë dollarë. Përveç tyre ata kanë marrë apartamente banimi, së paku 240 mijë dollarë të tjera dhe kanë privatizuar me çmime simbolike me lek privatizimi fabrika, objekte dhe toka turistike mbi 400 mijë Dollarë. Pra në zbatim të ligjit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politik vetëm zotërinjtë që po grevojnë në studion e Kristaq Ramës dhe deklarojnë çdo ditë se nuk kanë marrë asgjë, janë dëmshpërblyer me lek për këstin e parë dhe sipas ligjit edhe të atë të dytë me lek privatizimi dhe fabrika në linja prodhimi, objekte apo troje turistike me rreth 900 mijë Dollarë”.
Gjithashtu deklarata e PD përmendi faktin që Perikli Shqevi, i akuzuar nga prokuroria se ndezi në flakë Gjergj Ndrecës, në të vërtetë jo vetëm posedon tre emra, por dhe ka një vilë luksoze në ishullin e Korfuzit. “Personi me tre emra dhe me vilë luksoze në Korfuz i cili ditën që do të vendosej rekomandimi për statusin e vendit kandidat në Bruksel për Shqipërinë, me porosi do të lyente me benzinë dhe do t’i vinte flakën në rrugë para mediave të veta nje grevisti me probleme serioze mendore, ka marrë në përputhje me ligjin një apartament 3+1 si edhe dëmshpërblimin prej 530 mijë lekësh”, informoi zëdhënësja e PD.
Në këtë linjë ajo shtoi se deputetët e Aleancës Rama-Tufa si kurrë ndonjëherë në historinë e një seance dëgjimi të thirrur me urgjencë prej tyre, habitën shqiptarët sepse ata habitshëm mbyllën gojën, nuk bënë as gëk as mëk, nuk i bënë asnjë koment as edhe një pyetje ministrit Halimi sikur të kishin thirrur seancë heshtjeje dhe jo seancë pyetjesh. Zëdhënësja e PD, Bardhi theksoi se deputetët e Rilindjes me Tufën mbajtën këtë heshtje denigruese për ta, ndoshta se ndjeheshin të turpëruar para zgjedhësve të tyre për aleatin e ri që e menaxhonte grevën për llogari të tyre. “Mundet, por pak të ngjarë ka, sepse jo një, por disa syresh janë përfolur për trafiqe me pasaportat diplomatike dhe Tufa e di se ka bashkëpunuar me ta. Ndoshta heshtja tyre dje vinte nga urrejtja klasore që neo-bllokmenët e rinj në krye të Partisë Socialiste kanë për martirët e gjallë të lirisë, viktima të kalvarit të egër të etërve të tyre hoxhistë. Por pavarësisht nga këto, Partia Demokratike deklaron se përveç këstit të parë që e kanë marrë që të gjithë të përndjekurit politik, ka filluar dhe vazhdon ndarja e këstit të dytë”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se Partia Demokratike garanton qytetarët shqiptarë se dëmshpërblimi i merituar dhe në përputhje me ligjin e të përndjekurve politikë do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të këtij procesi në afatin kohor që parashikon ligji.