Shkurt dhe thjesht: Zot na ruaj nga faqja e zezë!
Së pari, nuk di që këtu, në Bruksel, por edhe Belgjikë, të ketë aktivistë të njohur të Aleancës Kuq e Zi, që meritojnë vëmendjen e bashkësisë sonë shqiptare për numrin ose për reputacionit e tyre. Edhe ca pak të gënjyer të viktimizuar, që morën pjesë në një tubim me Kreshnik Spahiun para nja një viti, sot kanë kafshuar gjuhën dhe nuk dinë të thonë sesi hynë dhe pse ynë hynë në atë valle të ndyrë, që, gjithsesi, ua ka vënë tashmë një njollë personalitetit të tyre. Ca pak bashkatdhetarë të ndershëm, që nuk i lidh asgjë me sharlatanë faqezinj, ranë viktima të manipulacioneve me adresa dhe numra telefonash, marrë me mirëkuptim prej njerëzish të painformuar.
Së dyti, lajmin me titull “Kusht për në BE, ikja e Berishës” e mësova sot nga një e përditshme e Tiranës që i thotë vetes e pavarur, por që, në të vërtet, varet atje ku s’di pse është varur. Mes të tjerave, e përditshmja na informon se “aktivistë të Aleancës Kuq e Zi kanë zhvilluar një protestë përpara Parlamentit Europian në Bruksel”, Mediat e këtushme japin lajme edhe për 100 kongolezë, ta zëmë, që nuk e duan Presidentit Kabila. Fakti që ato nuk i ka ngacmuar kjo protestë e shpifur, më kujton një “protestë” të njëjtë të vitit 1996, në mos gaboj, kur katër a pesë individë të ulur në truar përpara Selisë së Misionit Shqiptar pranë NATO-s, “protestonin” për lirimin e Fatos Nanos nga burgu i Bënçës. Kam qenë dëshmitar i një ngjarjeje që më shumë i habiti kalimtarët me ata individë gati të droguar, të cilët mbanin pranë kanoçe me birrë dhe disa parulla, sesa i ngacmoi. Fotografitë e shkrepura me atë rast qesharak, i ruaj sot kësaj dite.
Së treti, hidhini një sy fotos që e përditshmja në fjalë e ka botuar në faqen e saj online të internetit. Do të vëreni jo më shumë se katër a pesë kapela të kuqe (rastësi e çuditshme me numra dhe me ngjyra!) dhe disa duar që mbajnë tre flamurë të mëdhenj të Republikës së Shqipërisë, që fshehin numrin e përkrahësve të Aleancës Kuq e Zi. Poshtë flamurëve, një banderolë e stërmadhe me një foto të deformuar të Kryeministrit Berisha, dhe, me shkronja kapitale: “Kusht për në BE – ikja e Berishës”. Efektin, s’ka pse ta shpjegoj. Gjithsesi, s’ më rrihet pa shënuar se, po të jetë e thënë që Shqipëria do të pranohet ose jo në BE me miratimin e sharlatanëve kuqezinj, më mirë të mos pranohemi kurrë. Ç’e duam atë faqe të zezë!
Së katërti, nuk e kuptoj çka do të na tregojë e përditshmja e pavarur me këtë lajm e më këtë foto qesharake. Pavarësi? Ta gëzojë, nëse është kështu!
Së pesti dhe së fundi, sot, në orë 17.30, në mjediset e Parlamentit Europian, Shoqata Konitza organizon një takim të bashkësisë sonë me Eduard Kukan dhe Tanja Fayon. Nëse do të ketë në takimin e pritshëm edhe prej protestuesve të paradites, çka nuk më duket tepër e habitshme, kushedi çdo të përjetojnë përfaqësuesit e Europës së Bashkuar. Zot na ruaj faqen! Larg nga faqja e zezë!